“Squid Game” po bën namin, shkollat paralajmërojnë prindërit që të mos lënë fëmijët ta shohin

Seriali më i famshëm i Netflix për momentin, “Squid Game”, nuk është një serial për fëmijë, edhe pse komploti i tij përfshin një turne vdekjeprurës të lojërave për fëmijë. Shkollat nëpër botë po paralajmërojnë prindërit që të tregohen të kujdesshëm sepse fëmijët po imitojnë shfaqjen.

Një shkollë në Belgjikë raportoi se fëmijët po imitojnë shfaqjen dhe rrahin fëmijët që humbasin lojërat. Nxënësit në shkollën Beguinage Hainaut të komunës Erquelinnes kanë luajtur lojën “Red Light, Green Light”, e njohur në Belgjikë si 1, 2, 3 Piano.

“Ne [duhet të qëndrojmë] vigjilentë në mënyrë që kjo lojë e pashëndetshme dhe e rrezikshme të ndalet”, tha një përfaqësues i shkollës në faqen në Facebook këtë javë, raporton Brussels Time. Postimi vuri në dukje se fëmijët mund ta luajnë lojën, por nuk mund të dëmtojnë fizikisht ata që humbin.

Në serial, Red Light, Green Light (Dritë e kuqe, dritë jeshile) është loja e parë që garuesit luajnë. Ata shpresojnë të fitojnë para, por së shpejti zbulojnë se nëse lëvizin pasi një kukull gjigante robote thërret, “Dritë e Kuqe!” ata qëllohen për vdekje. Ata që kalojnë me sukses vijën e finishit lejohen të vazhdojnë në turne.

Ndonëse shfaqja nuk është e përshtatshme për fëmijët dhe paraqet vdekje të shumta të përgjakshme, ka tërhequr interesin e shumë njerëzve. Ka meme të shumta që përfshijnë lojën, po shiten kostume Halloëween-i me veshje jeshile, rojet me të kuqe dhe personazhe të tjerë.

Paralajmërime të tilla janë bërë edhe nga shkolla të tjera nëpër botë. Shkolla në Ilford dhe Kent në Angli kanë paralajmëruar prindërit që të tregohen të kujdesshëm.

Seriali nuk është kurrsesi për fëmijë, pasi përfshin skena me vrasje brutale, ka vetëvrasje, seks dhe sharje dhe është i përshtatshëm për një audiencë mbi 15 vjeç.


Shtuar 11.10.2021 10:36