Spartak Ngjela: Berisha do ç’mitizohet si tribunë! Basha vuri para dhe Ramën, zgjoi politikën shqiptare nga gjumi letargjik

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka bërë një parashikim se çdo të ndodhë në ditët në vijim me Partinë Demokratike dhe ish-liderin e saj, Sali Berishën.

Sipas Ngjelës, pas rrëzimit, koha do të punojë në favor të Bashës dhe Berisha do të harrohet shpejt, pasi tributë kur bien, marrin me vete edhe klanin e tyre.

Postimi i plotë i Ngjelës:

Politika amerikane e përshëndeti Bashën për largimin e Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Por, çfarë ndodhi në këtë proces?

Duket se po jemi në çastin kur shqiptarët do ta shporrin abuzimin e politikës antishqiptare në Tiranë, dhe procesi do të vijojë.

Është koha kur Partia Demokratike po rrëzon tabunë e klanit Berisha në Partinë Demokratike. Dhe po shihet se këtë po e ndërmerr Lulzim Basha, që ka qenë më i zgjedhuri i klanit përfaqësues të tabusë Berisha.

Në fakt, ky është fenomen i njohur: tabunë e rrëzon ai që kërkon të vijë e të udhëheqë klanin e tij si tabu e re. Kurse, klani i tabusë së rrëzuar, ikën bashkë me të.

Tabuja është një krijim i mendjeve primitive, por ekziston ende në kohet e reja te shoqëritë e pazhvilluara, si psikologji klanore. Frojdi na tha se “tabuja formohet nga vektorë që janë me burim të mistershëm”. Por, pasi formohet nën këtë mister, ai është i paprekshëm.

Kurse Enciklopedia Britanike e përcakton tabunë si një “ndalim të fuqishëm mistik për të prekur, për të thënë ose për të bërë diçka kundër dikujt”… Por që adhurohet nga klani i tij, dhe prandaj ka fuqi klanore. Në fakt, mu kështu është ndërtuar edhe politika shqiptare, që nga viti 1925 e deri në ditët e sotme – me fuqinë klanore të një tabuje.

Në të vërtetë, para dy ditësh, Lulzim Basha goditi tabunë Berisha. Duke goditur Berishën, Basha, në fakt, shkundi politikën shqiptare në një çast që ajo ishte në një gjumë letargjik. Por këtë goditje kundër tabusë Berisha, Basha e bëri me ndihmën e politikës amerikane, e cila ia shpalosi atij të gjitha dokumentet që provojnë aktivitetin kriminal të Sali Berishës kundër Shqipërisë.

Basha mbeti pa frymë, kur zëvendës Sekretari i Shtetit, Philip T. Reeker, ia vuri përpara të gjitha bëmat e makabritetit antishqiptar të Sali Berishës. Pra, politika amerikane këtë herë veproi konkretisht.

Dhe Basha nuk ishte i vetëm në këtë takim, sepse bashkë me të, në këtë ekspozim të Reeker-it, ishin dhe dy deputetë të tjerë që nuk po flasin, por që vetë Basha e tregoi, kur tha: “në takim ishin dhe dy deputetë të tjerë – deputetja Tabaku dhe deputeti Bardhi”.

Dhe, këtë fakt, ai e përmendi me këputjen e lodhjes së tij fizike dhe shpirtërore, që ta jep gjithmonë një ngjarje e tillë.

Po Saliu, e di këtë?

Sigurisht që e di; por ai vijon të bëjë sikur nuk kupton, si të gjithë banditët, dhe mendon të fitojë duke i kujtuar klanit Basha frikën. Por, pafare mundësi trembjeje.

Tani kuptohet se Berisha ka rënë si i rrëzuar në Partinë Demokratike, dhe ngjarjet po shihet se do të precipitojnë në favor të Lulzim Bashës.

Po pas kësaj, çfarë po ndodh me politikën shqiptare?

Na duhet të theksojmë se pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e prillit të këtij viti, me tiradat apolitike e të përgjumura të Edi Ramës, dhe me kakafoninë vulgare të gazetarisë dhe medias shqiptare në përgjithësi, politika shqiptare kishte hyrë në një gjumë letargjik. Ky lloj gjumi u imponua nga mungesa e aktit politik dhe paqartësia verbit të zgjedhur politik që karakterizon kryeministrin Rama. Rama luan një teatër jodramatik dhe krejt popullor, dhe kjo kishte sjellë gjumin letargjik të politikës shqiptare./albeu.com


Shtuar 12.09.2021 19:26