SPAK shtyn me 6 muaj afatin e hetimit të dosjes së Plumbit të Artë, pjesë e saj dhe e dashura e Nuredin Dumanit

SPAK ka shtyrë me 6 muaj hetimet për dosjen me 33 persona të akuzuar nga dëshmitë e të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha dhe Klevis Alla.

Vendimi për të marrë më shumë kohë për hetimet është marrë në muajin nëntor, ndërsa afati përfundimtar është 11 Maji i vitit 2023.

Brenda këtyre 6 muajve SPAK, argumenton se do kryejë një sërë veprimesh hetimore ndaj 33 personave të përfshirë në një seri krimesh, kryesisht vrasje në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe qytete të tjera të vendit.

Burimet konfirmuan për “Ora News” se tashmë listës së gjatë të personave të proceduar i është shtuar dhe emri i vajzës nga Kosova, e cila po hetohet për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.

Hetimet ndaj saj po zhvillohen në gjendje të lirë, ndërsa është konfirmuar se që prej fillimit të muajit Prill, vajza që shoqëronte Nuredin Dumanin në Fier, është larguar nga Shqipëria.

Bashkimi i dosjeve

Në këtë hetim, SPAK rezulton të ketë bashkuar 20 dosje penale që flasin për krime të ndryshme në Shqipëri të cilat më parë kanë qenë pa autor.

Çështja e fundit, që është tërhequr nga prokuroria e Durrësit, flet për grabitjen e një banke të nivelit të dytë në këtë qytet më 9 qershor 2019.

Banka dyshohet se është grabitur nga anëtarë të grupit të Nuredin Dumanit. Ky i fundit është nxjerrë nga burgu ku mbahet dhe nën shoqërimin e policisë është dërguar nga hetuesit në disa vende kryesore, ku ai dyshohet se ka kryer krimet dhe ka bërë takimet me eksponentët e krimit të organizuar në Shqipëri.

Ky veprim është kryer me Dumanin për të saktësuar por edhe për të verifikuar saktësinë e dëshmisë së tij.

Dëshmia e Nuredin Dumanit u bë shkak për kryerjen e një operacioni të gjerë që u kodua me emrin “Plumbi i Artë” në maj 2022.

Rrëfimi i të penduarit dhe rihapja e dosjeve për të cilat ai foli, u bë shkak për zbardhjen e një serie atentatesh me viktima e të plagosur të ndodhura vitet e fundit në Shqipëri./oranews


Shtuar 9.12.2022 11:32