Kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt, ka vlerësuar punën e SPAK gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, duke e cilësuar atë si një institucion “jopolitik, të pavarur dhe të suksesshëm”.
Gjatë dëgjesës, Wendt u pyet nga senatorët për rolin e SPAK në përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ai u shpreh se, sipas informacioneve që ka dhe përvojës së mëparshme në vend, SPAK ka treguar profesionalizëm dhe pavarësi në punën e tij.
Të lidhura
None found
“SPAK, nga çdo gjë që kam lexuar, ka qenë një organizim apolitik, i pavarur dhe i suksesshëm”, deklaroi ai.
Wendt theksoi se prokurorët e këtij institucioni i nënshtrohen një procesi të fortë verifikimi, përfshirë vetting-un dhe kontrolle të tjera të sigurisë, ndërsa shtoi se SPAK bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe vendet evropiane.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatave të posaçme, duke i konsideruar pjesë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nëse konfirmohet në detyrë, Wendt tha se do të mbështesë veprimtarinë e SPAK, duke theksuar se pavarësia e tij është thelbësore për rritjen e transparencës, përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e besimit të investitorëve në Shqipëri.
Ai shtoi gjithashtu se bashkëpunimi mes autoriteteve amerikane dhe SPAK ka qenë efektiv, duke çuar në procedime dhe hetime ndaj personave të përfshirë në aktivitete kriminale ndërkombëtare.
Erik Wendt: SPAK, nga çdo gjë që kam lexuar, ka qenë një organizim apolitik, i pavarur dhe i suksesshëm. Prokurorët që shkojnë në SPAK kryejnë vetting të rëndësishëm, edhe poligraf. Ata monitorohen nga SHBA dhe europianët. Kanë trupën e tyre hetimore, BKH-në, prokurorët specialë dhe gjykatat speciale. Puna e tyre është kritike për sa kohë mbeten të pavarur dhe jopolitikë. Kjo ndikon edhe në klimën e biznesit, rrit transparencën dhe ndihmon bizneset amerikane në Shqipëri duke balancuar situatën.
