Zgjedhjet 2021/ Sot votojnë 2791 të burgosur, kategorive që u ndalohet

20 qendra votimi janë hapur këtë mëngjes edhe në burgjet e vendit. Në institucionet e vuajtjes së dënimit kanë të drejtë të votojnë 2971 të burgosur dhe të paraburgosur. Mes tyre, 88 janë gra.

Në cdo burg është ngritur një qendër votimi, e cila do të administrohet nga komisionerë të jashtëm, jo staf i burgut, të cilët, atë ditë do të marrin autorizim të posacëm të hyjnë brenda hekurave vetëm për këtë mision.

Pavarësisht se ku kanë jetuar apo ku e kanë familjen, ata që vuajnë dënimet do të votojnë për kandidatët e qarkut ku ndodhet burgu. Pra, një person që është në burgun e Shën Kollit do të votojë për kandidatët e qarkut Lezhë, e kështu me radhë.

Votat do të numërohen jashtë burgut, në qendrën më të afërt me institucionin. Por, sipas të dhënave të drejtorisë së burgjeve, rreth 2400 të burgosur do të ndalohen të ushtrojnë të drejtën e votës.

Bëhet fjalë për të dënuar për vepra të rënda penale, të cilëve ligji i dekriminalizimit ju heq të drejtën të zgjedhin.

Ndërkohë, më shumë se 5 mijë policë do të angazhohen për të mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ata do të vendosen kryesisht pranë qendrave të votimit gjatë kësaj të diele. Por uniformat blu do të votojnë vetëm në qendrat e tyre përkatëse, dhe jo aty ku ushtrojnë detyrën në këtë ditë me rëndësi.

Policia do të angazhohet më pas në shoqërimin e kutive të votimit, dhe në garantimin e rendit gjatë numërimit.


Shtuar 25.04.2021 08:03