Sot u ekzekutua Everest Çaka, atentati në Barcelonë që solli 4 vrasjet e bujshme në Elbasan

Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Elbasan me armë zjarri në lagjen “Skëndërbeu”.

41 vjeçari Everest Çaka u ekzekutua brenda makinës së tij ku ndodhej bashkë me bashkëshorten, ndërkohë që kjo e fundit ka mbetur e plagosur lehtë.

Everest Çaka rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin, ndërsa quhej edhe Ibrahim Çaka. Ai dyshohet të jetë përfshirë në trafikun e drogës edhe në Belgjikë.

Everest Çaka rezulton të jetë i akuzuar më herët për një vrasje të ndodhur në vitin 2010, ku humbi jetën shoferi i autobusëve Gëzim Alikaj, për të cilën nuk u dënua.

Në prangat e Policisë ranë në atë kohë, Ibrahim Çaka, Elton Hyka si dhe Ardit Spahiu, që të tre banorë të Elbasanit. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohej vrasja e vëllait të viktimës së sotme në një disko në Barcelonë në vitin 2007.

Vrasja e Arjan Spahiut në Belgjikë

Gjatë këtij viti u ekzekutua në Belgjikë, Arjan Spahiu, djali i tezes së Everest Çakës, i cili mbeti i vdekur mbrëmjen e sotme. Spahiu rezulton të ketë lidhje familjare me një tjetër personazh të botës së krimit në Elbasan, Erion Alibej, kunati i motrës së tij.

Alibej është i arrestuar tashmë si porositës i disa atentateve në Elbasan. Ai dyshohet se është organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në korrik 2020, teksa ka dyshime të forta se pikërisht ky person ka gisht dhe në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.

Shtuar 11.05.2021 10:05