Sot, seanca për caktim të paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve në rastin e 400 kg kokainë

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve për rastin ku të hënën u sekuestruan 400 kg kokainë.

Gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri për “Betimi për Drejtësi”, tha se seanca për caktimin e paraburgimit është caktuar të mbahet sot, duke filluar nga ora 10:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shtatë personat e arrestuar po dyshohen nga PSRK për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal” nga neni 277 par 1 i KPRK-së, lidhur me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, subsatancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 par 1 lidhur me nenin 275 par 1, pika 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par 1 i KPRK-së.

Prokurori special, Valdet Gashi, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, kishte thënë se kërkesën për caktim të paraburgimit e kanë dorëzuar të martën.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh për ditën e hënë, ka treguar se përveç rreth 400 kg kokainë që janë sekuestruar në Lipjan, dje kanë sekuestruar edhe armë, para, telefona dhe llaptop.

Sipas raportit të Policisë, gjatë kontrollit në lokacione të tjera janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc”, ka njoftuar policia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raportit, i gjithë operacioni është bërë në koordinim me policinë italiane dhe atë shqiptare.

Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka konfirmuar se të hënën janë sekuestruar rreth 400 kg kokainë me vlerë rreth 20 milion euro, në një operacion ku kanë qenë të përfshirë autoritetet nga Kosova, Shqipëria dhe Italia.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se informatat e para i kanë marrë se një kontejner ka ardhur nga Brazili në Itali, me destinacion Kosovën e ku është dyshuar se ka narkotikë.

Ky narkotikë, Mehmeti kishte thënë dje, se ka qenë i mbështjell dhe i kamufluar në disa paketime të ngjashme me mish.

Ai ka treguar ishte vendosur që ky kontejner të përcjellët dhe se gjatë tërë kohës ka qenë nën vëzhgimin e Policisë.

“Ngarkesa përmes territorit të Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës, ka arritur më 15.05.2021 ku është ndaluar në parkingun e një depoje pronë e një kompanie të dyshuar”, kishte thënë Mehmeti.

Mehmeti kishte thënë se të hënën rreth orës 11:00, persona të dyshuar kanë filluar të bëjnë tërheqjen e narkotikëve, për çka tha se kishin vendosur të ndërhyjnë dhe i kanë arrestuar shtatë persona, shtetas të Republikës së Kosovës.

Operacioni, Mehmeti tha se ka qenë i autorizuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndërsa ka përfunduar me shtatë të arrestuar.

Personave të dyshuar, Mehmeti ka treguar se u është caktuar masa e ndalimit ndërsa tha se disa persona të tjerë janë ende në kërkim pasi operacioni është në zhvillim e sipër.


Shtuar 19.05.2021 10:12