Sot seanca në GJKKO, Berisha akuza SPAK-ut: Prokurorë të lidhur me pushtetin kriminal të Edi Ramës!

GJKKO pret që ta marrë sot në pyetje ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi seanca e djeshme u shty.

Seanca pritet të zhvillohet në orën 14:30.

Por ish-kryeministri Berisha në një konferencë për mediet akuzoi SPAK dhe kryeministrin Edi Rama si të lidhur me njëri-tjetrin.

Ndaj Berishës është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje” pasi akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Berisha: Dacibao politike ndaj vendimeve kolegjiale dhe ligjeve të parlamentit, në zbatim të programit të qeverisë së PD në mandatin e saj të viteve 2005-2009, për reformat në fushën e pronësisë, ekonomisë, forcave të armatosura, sportit, etjm, paraqet fytyrën e vërtetë dhe kriminale të Edi Ramës dhe laro skapistëve të tij. Përbën përpjekjen më monstruoze të vendosjes së kontrollit politik policesk mbi veprimtarinë e qeverisë dhe parlamentit nga një grup prokurorësh të lidhur si mishi me thoin me pushtetin kriminal të Edi Ramës. Dëshmon se çdo pushtet përcaktohet dhe kontrollohet nga Edi Rama përmes 4-5 larove të tij skapistë.
Dacibao e djeshme ndaj reformave, nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra dhe në disa raste, mbarë shqiptarët, e bën këtë çështje procesin politik të shekullit.

Dje u njohua ju me njohjen monstruoze të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, që shkruanin në dacibaon e tyre se vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë për pagesën në masën 80 përqind të shumës në blerjen e objekteve të privatizuara, nga i cili kanë përfituar qindra e mijëra shqiptarë, duke blerë objekte në privatizim, legalizuar banesat e tyre dhe destinacione të tjera. Ky vendim sipas tyre qenka marrë për të ndihmuar dhëndrin tim, i cili kishte paguar në të holla 88.6 përqind të shumës për blerjen e objekteve të ndërtuara nga shteti komunist në tokën e familjes së tij, të grabitur 50 vite më parë. Dhe ky vendim doli një muaj pasi ata kishin paguar 88.6 përqind të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 50 vite më radhë./Albeu.com 


Shtuar 25.10.2023 12:40