Sot, luhen fatet e sezonit në Kategorinë Superiore

Fatet e sezonit vendosen ditën e sotme. Java e 35-të në Kategorinë Superiore premton të jetë mjaft e ndezur. Të 5-ta ndeshjet do të luhen në orën 17:00.

Padyshim që sportdashësit shqiptar do të jenë të fokusuar tek dy ndeshje, të cilat pritet të vendosin edhe skuadrën kampione për sezonin 2020-2021.

Në “Air Albania” luhet sfida mes Partizanit kryesues dhe Vllaznisë, ndërsa Laçi pret Teutën e vendit të dytë në Kurbin.

Një takim i rëndësishëm për zonën e mbijetesës do të jetë dhe Kastrioti-Bylis e cila do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Kamzës. Të dyja skuadrat i ndajnë vetëm një pikë në tabelën e klasifikimit dhe pritet të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja krahët.

Ndeshja tjetër do të jetë ajo mes Apolonisë dhe Tiranës e cila do të zhvillohet në stadiumin “Loni Papuçiu” me të dyja skuadrat që janë pa asnjë objektiv duke parë se Tirana matematikisht është jashtë zonës Europiane dhe Apolonia e rënë në Kategorinë e Parë.

Takimi tjetër do të jetë ajo mes Skënderbeut dhe Kukësit, një sfidë e rëndësishme për skuadrën korçare e cila me rast fitoreje mund të sigurojë matematikisht mbijetesën në Kategorinë Superiore.


Shtuar 21.05.2021 09:36