Sot ishte planifikuar mbledhja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, por nuk është zhvilluar. Sipas Partisë Demokratike bën me dije se mbledhja është bojkotuar nga deputetët e PS, ndërsa akuzon se ky bojkot vjen pas arrestimit të Lefter Kokës.
“Hetimi i Komisionit për incineratorët u bllokua sot nga Partia Socialiste. Deputetët e saj nuk morën pjesë sot në mbledhjen e lajmëruar më herët nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku. Mospjesëmarrja e deputetëve socialistë ndikon në mosarritjen e kuorumit për shumicën, duke bllokuar kështu hetimin për inceneratorët. Mbledhja e Komisionit Hetimor të inceneratorëve u bllokua nga PS një javë pas arrestimit nga SPAK të ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Partia Demokratike dërgoi në SPAK padinë penale për inceneratorët në tetor 2020. Kryeministri Edi Rama është në krye të listës së të kallëzuarve, por deri tani ndaj tij, ministrave të tjerë dhe kryebashkiakëve socialistë nuk është bërë asnjë veprim nga SPAK”, thotë PD.