Sot funerali i Silvio Berlusconit, Milano nën masa të rrepta sigurie

Milano po përgatitet t’i japë lamtumirën Silvio Berlusconit me funeralin shtetëror që do të mbahet sot në orën 15:00 në Duomo dhe do të kremtohet nga kryepeshkopi i qytetit Mario Delpini.

Masat e sigurisë të vendosura për këtë rast janë të rrepta duke qenë se Presidenti i Republikës Sergio Mattarella, Kryeministrja Giorgia Meloni, të paktën 32 zyrtarë qeveritarë do të mbërrijnë në qytet me një fluturim shtetëror nga Linate, si dhe krerët e shtetit dhe zyrtarë të huaj, duke përfshirë hungarezin Viktor Orban.

Më tej, në Piazza Duomo, e cila do të rrethohet nga ora 10 e mëngjesit të sotëm dhe do të ruhet nga forcat e rendit si e gjithë zona, priten mijëra qytetarë të cilët do të mund të marrin pjesë në funeralin e ish-kryeministrit nga dy ekranet që janë ngritur për këtë rast.


Shtuar 14.06.2023 09:43