Qytetarët do të mblidhen sërish përpara Kryeministrisë kundër qeverisë, ndërsa shënojnë ditën e 126 të revoltës.
Ata shprehen të vendosur se nuk do të largohen nga Bulevardi derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen, ndërsa argumentojnë se skandalet që kanë prekur qeverinë e tij, që po dalin çdo ditë e më shumë në dritë, po e bëjnë atë më të dobët.
Të lidhura
None found
Protestuesit kanë përcjellë mesazhe ndaj politikës, por edhe ndaj SPAK. Një ditë më parë, ndërsa SPAK ushtroi kontrolle tek Ron Yeffet dhe persona të tjerë të lidhur me kompaninë KAYO pas nisjes së hetimeve për trafik armësh, protestuesit kërkuan që Prokuroria të shkojë edhe tek Edi Rama, duke e bërë përgjegjësin kryesor.
Ndërkohë, po sot, në orën 16:00, pritet të zhvillohet një protestë edhe para godinës së Komisionit Evropian në Bruksel. Shqiptarë të diasporës, nga vende të ndryshme të Evropës, do të protestojnë përpara institucionit evropian, për të përcjellë siç thonë ata, që populli shqiptar duhet të hyjë në BE pa Edi Ramën.
“Shqiptarët e diasporës nga të gjitha qytetet evropiane, do të mblidhen në Bruksel përpara Komisionit Evropian, sepse institucionet e BE-së meritojnë të dëgjojnë edhe një version tjetër, përveç atij të Edi Ramës dhe Ursual Von der Leyen.
Ne jemi këtu, dhe shqiptarët e diasporës do të jenë në Bruksel për të thënë se shoqëria shqiptare meriton të futet në BE, por qeveria jo. Prandaj edhe ne nga Tirana sot nisim një thirrje që do të bëjë jehonë edhe në Bruksel: Shqipëria në BE, pa Edi Ramën”, theksoi aktivistja Sidorela Vatnikaj një ditë më parë.
