Sot 18 vite nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova

Më 21 janar mbushen 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova, u lind më 2 Dhjetor të vitit 1944, në Cercë të Istogut.

Ai vdiq më 21 Janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Më 10 Janar të vitit 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova, shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967.

Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë.

Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 doktor Ibrahim Rugova, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë.

Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”. Mandej, për afro dy dekada, Rugova veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë.

Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” të këtij Instituti.

Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK, nën udhëheqjen e tij, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.

Doktor Ibrahim Rugova, u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.

Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002.

LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.

Ai ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në “Bregun e Diellit”, me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes më 21 janar 2007, presidenti Fatmir Sejdiu, dekoroi presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971

Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978

Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën)

Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin)

Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980

Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982

Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986

Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987

Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991

Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994

Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

Në vitin 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë

Në vitin 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë

Në vitin 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian

Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia

Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë

Në vitin 2004, Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi

U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

Në vitin 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

 


Shtuar 21.01.2024 09:53