Soreca i dorëzon Presidentit progres-raportin e Komisionit Evropian, Begaj: I angazhuar për avancimin e procesit të integrimit europian

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, priti sot të Ngarkuarin me Punë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili i dorëzoi Raportin e Progresit për vitin 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Presidenti Begaj vlerësoi konkluzionet e balancuara dhe inkurajuese të Raportit të Komisionit 2023 për Shqipërinë dhe planin e ri të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu njohjen nga Komisioni Evropian të ecurisë së proceseve të reformave në Shqipëri, në veçanti reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Presidenti Begaj rikonfirmoi mbështetjen e tij të palëkundur për institucionet shqiptare në përmbushjen e prioriteteve.

Presienti Begaj u shpreh: “Shqipëria është, gjithashtu, e angazhuar për krijimin e një ekonomie funksionale, e cila mund të ndihmojë përmirësimin e integrimit të plotë të vendit tonë në tregun e vetëm të BE-së. Ne i vlerësojmë thellësisht përpjekjet e Komisionit Evropian për ta përshpejtuar integrimin ekonomik përmes Planit të Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”.

“Në cilësinë time si President i Shqipërisë dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë se do të vazhdoj të jem i angazhuar për avancimin e procesit të integrimit europian, i cili mbetet objektivi ynë kryesor kombëtar”, – u shpreh Presidenti Begaj.


Shtuar 9.11.2023 10:55