SONDAZHI/ Ja sa % do marri VV në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri

Lëvizja Vetëvendosje nuk pritet të ketë sukses në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Partia e Albin Kurtit, që në zgjedhjet e 25 prillit garon me tre kandidatë për deputetë, pritet t’i marrë 10,000 deri në 13,000 vota, apo 0.68%. Kështu parashikon sondazhi i Gazetës Express dhe Televizionit 7 që është realizuar nga kompania shqiptaro-izraelite, “GeoCartography”. Rezultati i matjeve të kësaj kompanie për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë ka qenë qind për qind i saktë me rezultatin zgjedhor. Sipas sondazhit, në Shqipëri shumicën e mandateve në Kuvend do t’i fitojë opozita.

Sipas këtij sondazhi, LVV nuk do të arrijë ta fitojë asnjë mandat deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, përkundër fushatës atje të kreut të këtij subjekti politik, Albin Kurtit, i cili me këtë parti i fitoi 50.28% të votave në zgjedhjet e përgjithshme paralementare të 14 shkurtit në Kosovë.

Në qarkun e Tiranës, ku LVV kandidon me Boiken Abazin, parashikohet t’i marrë vetëm 1% të votave. Në këtë qart, përveç votuesve të kryeqytetit shqiptar, përfshihen edhe ata të Kamzës, Kavajës, Vorës e Rrogozhinës.

Akoma më pak se kaq vota pritet të fitojë në qarkun e Lezhës, ku kandidat për deputet nga LVV është Iliaz Shehi. Sipas sondazhit, në këtë qark që e përbëjnë edhe Kurbini, Bulqiza dhe Klosi, LVV do t’i marrë vetëm 0.50% të votave.

Kandidat për deputet nga ky subjekt politik është edhe Kreshnik Merxhani nga qarku i Gjirokastrës.

Pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, Albin Kurti shkoi në Shqipëri, ku qëndroi për disa ditë. Atje, ai i ftoi qytetarët e Shqipërisë që t’i votojnë kandidatët e LVV-së për deputetë.

Kandidati i LVV-së për deputet, që është edhe kryetar i qendrës së këtij subjekti politik në Shqipëri, kishte thënë në një konferencë të përbashkët me shefin e partisë se është koha që edhe në Shqipëri të bëhet ndryshimi ashtu si në Kosovë.

“Populli në Kosovë na dha të gjithëve një shembull për t`u ndjekur, përkundër manipulimeve dhe trysnisë votoi edhe më fuqishëm atë që është e ndryshme dhe që sjellë ndryshime. Si qytetarë aktiv nga Shqipëria jemi angazhuar vazhdimisht për të sjellë ndryshime në Kosovë, dhe tani është momenti që edhe Kosova edhe z. Kurti t’na mbështesin në nisjen e ndryshimit në Republikën e Shqipërisë”, ishte shprehur mes tjerash Abazi.

Shtuar 16.03.2021 06:03