Sllovakët kanë filluar të votojnë të shtunën herët në zgjedhjet parlamentare në të cilat pritet një luftë e fortë mes ish-kryeministrit majtist, Roberto Fico – i cili është zotuar t’i ndalë ndihmat ushtarake për Ukrainën – dhe liberalëve pro-perëndimorë.
Sondazhet kanë treguar rezultat të barabartë mes dy partive para votimit të zgjedhjeve të së shtunës, fituesi i të cilave do ta ketë mundësinë ta formojë një qeveri për zëvendësimin e administratës së përkohshme, e cila e ka udhëhequr vendin me popullsi prej 5.5 milionë banorë që nga muaji maj.
Nëse Fico fiton, atëherë kjo nënkupton se Sllovakia do t’i bashkohet Hungarisë si dy vendet e BE-së që e sfidojnë konsensusin e bllokut për mbështetjen e Ukrainës, në një kohë kur Bashkimi Evropian po përpiqet të jetë i bashkuar në kundërshtimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
As partia e Ficos, SMER-SSD (Drejtimi Social Demokrat), e as Partia Sllovakia Progresive (PS), e cila udhëhiqet nga nënkryetari i Parlamentit Evropian, Michal Simencka, nuk pritet ta fitojnë shumicën në këto zgjedhje, që do të thotë se e ardhmja e qeverisë së do të varet nga rezultatet e disa partive të vogla, nga ato liberale te ato të ekstremit të djathtë.
Partia Zëri e Peter Pellegrinit, ish-pjesëtarit të SMER-SSD dhe kryeministrit nga 2018 deri më 2020, pritet të dalë e treta dhe mund ta thotë fjalën e fundit për formimin e qeverisë së re.
Ai i ka mbajt të hapura mundësitë, por e pranoi këtë javë se partia e tij është më e afërt me Ficon.
Qëndrimet pro-ruse të Ficos pasqyrojnë disponimin e shoqërisë sllovake, i cili tradicionalisht ka qenë relativisht më i ngrohtë për Rusinë. Kjo ndjesi është përforcuar nga narrativet pro-ruse dhe dezinformatat në rrjetet sociale.
“Fico ka përfituar nga i gjithë ankthi të cilin e solli pandemia (koronavirus) dhe lufta (në Ukrainë), nga zemërimi që është përhapur në Sllovaki në tri vjetët e fundit, dhe nga nxitja e atij zemërimi”,. Tha sociologu Michal Vasecka.
Fico është zotuar se do ta ndalë furnizimin ushtarak për Ukrainën dhe se është i etur për bisedime për paqe. Ky është një qëndrim i përafërt me atë të liderit të Hungarisë, Viktor Orban, i cili kundërshtohet nga Ukraina dhe aleatët e saj, të cilët thonë se kjo vetëm do ta inkurajonte Rusinë.
Ai i ka kritikuar edhe sanksionet ndaj Rusisë.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00, ndërsa votimi do të mbyllet në orën 22:00. /REL