“SKY” shkakton tërmet në Shqipëri, dalin qindra biseda sekrete mes kriminelëve, politikanëve dhe policëve

Operacioni i SPAK pak ditë më parë që ccoi në 15 urdhërarreste, të cilat erdhën falë zbërthimit të aplikacionit të kriptuar “SKY”, duket se nuk ka përfunduar.

Burime bëjnë me dije se janë zbardhur me qindra përgjime të tjera ku flasin politikanë, biznesmenë dhe njerëz nga bota e krimit, të cilët bëjnë pazare nga më të ndryshmet.

AlbEu.com raportoi pak ditë më parë se “SKY” përdorej nga 160 mijë persona, ku 16 mijë prej tyre ishin shqiptarë.

Aktualisht në grupin hetimor ndodhen edhe dy agjentë shqiptarë të cilët po bëjnë të mundur zbardhjen e të gjitha bisedave.

Kujtojmë se policia më 27 korrik ndërmori një aksion të shtrirë në disa zona të vendit, ku u ushtruan 16 kontrolle në banesa dhe u sekuestruan para, armë, maska e kamera. Ky grup kriminal akuzohet për vrasje, plagosje dhe një sërë krimesh të tjera. Pas hekurave aktualisht ndodhen biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili dyshohet për vrasje me paramendim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ish-shefi i Forcave Operacionale Oltion Bistri, i cili dyshohet për shpërdorim detyre dhe zbulim të akteve sekrete; kryeprokurori i Kukësit, Xhevahir Lita dhe 3 të tjerë, i dyshuar për korrupsion.


Shtuar 4.08.2023 21:25