Me argumentin se nuk ka patur kontribut politik në zgjedhjet e 25 Prillit, ish-kreu I PD në Kukës Ibsen Elezi nuk do të vijojë garën për kreun e PD-së.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Edith Harxhi e cila së bashku me Elezin janë pjesë e “Grupi për PD”. Ajo e ka cilësuar besëprerë kryetarin Basha dhe akt të rëndë përjashtimin e kandidatëve.
“Përjashtimi nga gara i kandidatëve për Kryetar Partie është akt i rëndë për një Parti të djathtë për të cilën Kryetari i saj aktual ka premtuar disa herë sistem përballje (primaresh), por edhe në këtë rast si në raste të tjera ishte besëprerë. Në veçanti përjashtimi nga gara i Ibsen Elezit njërit prej kandidatëve të Grupit për PD-në, si një nga zërat opozitarë më të paepur në Shqipëri, ish Kryetar i Partisë Demokratike të Kuksit dhe ish-Kryetar i Qarkut të Kuksit, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar, është i pajustifikueshëm dhe i rëndë. Z. Elezi prej disa vitesh kërkon reformimin e thellë të Partisë nga marrja peng e saj nga një njeri i vetëm. Ne do ta vazhdojmë së bashku si grup këtë betejë për reformim pavarësisht pengesave të qëllimshme nga Kryetari aktual”, shkruan Harxhi në Facebook.