Një ngjarje e rëndë është shënuar në Maliq. Një 62-vjeçar, i cili dyshohet se ka problem me shëndetin mendor, ka goditur gruan e tij (Pëllumbesha Muçollari) me mjet prerës dhe ka goditur me sende të forta djalin e tij 27-vjeçar Kamber Muçollari
Dy të lënduarit ndodhen në spital, ndërsa policia ka shkuar për ta arrestuar agresorin. Në momenin që shërbimet e policisë kanë shkuar pranë banesës së tij, 62-vjeçari Ramiz Muçollari u është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri.
Për kapjen e tij, një grup i forcave RENEA dhe struktura nga Korça kanë zbarkuar pranë banesës ku ka ndodhur ngjarja, me qëllim arrestimin e 62-vjeçarit. Operacioni vijon.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë, janë njoftuar se në fshatin Qesarakë, Maliq, shtetasi R. M., 62 vjeç, kishte dëmtuar me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij P. M., 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij K. M., 27 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve.
Pas marrjes së këtij njoftimi, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin e dyshuar R. M., i cili është i armatosur me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale.
Në vendngjarje, kanë mbërritur Forcat Speciale “Renea”, të cilët në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, si dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, po mbajnë të rrethuar zonën dhe po negociojnë me shtetasin R. M., që ai të dorëzohet, por 62-vjeçari nuk ka pranuar dhe vijon të qëllojë në drejtim të forcave të Policisë.
Sipas deklarimeve paraprake të marra familjarëve të tij, dyshohet se shtetasi R. M., vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Operacioni për kapjen e tij, po vijon.