Skandali tek Onkologjiku/ Ҫështja e mjekëve kalon në SPAK, Edmond Gashi llogari edhe për 13 pasuritë

Dosja e spitalit “Onkologjik”, e finalizuar me shumë bujë nga prokuroria e Tiranës, është transferuar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Vendimi për shpalljen e moskompetencën është marrë pak ditë më parë nga prokurori Bledar Valikaj, i cili ka vendosur që këtë çështje t’ia kalojë për hetim më të thelluar prokurorëve të SPAK.

“Ora News” ka mësuar se tashmë kirurgu i spitalit “Onkologjik”, Edmond Gashi, ish-zv.drejtoresha e Qëndrës Spitalore “Nënë Tereza”, Brikena Qirjazi, koordinatori i spitalit Emiljano Lela dhe mjekja e spitalit Onkologjik Alketa Ymeri Pere, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”.

Paralelisht me këtë hetim Edmond Gashi dhe zyrtarët e tjerë të kësaj dosje, do hetohen dhe për pasurinë. Vetëm Gashi disponon 13 pasuri të paluajtshme.

Bashkë me mjekët në SPAK përfunduan dhe administratori i klinikës “Megis”, Halil Gashi dhe administratori i farmacisë Florian Marku.

Kjo çështje fillimisht është hetuar në SPAK, por më pas ishte prokurorja Dorina Bejko, që ka shpallur moskompetencën dhe dërguar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Tiranës.

Përgjatë hetimeve të kryera prokuroria e Tiranës pak ditë më parë konkretizoi hetimin, duke vendosur 6 masa sigurimi për mjekët, ish-zv/drejtoreshën e qendrës spitalore dhe dy farmacistët.

Prokuroria e Tiranës, tha se gjatë hetimit ka rezultuar se pacientëve që do të bënin radioterapinë apo ndërhyrjet kirurgjikale, u kërkohej të shkonin në klinikën private “Megis”, ku pronar rezulton vetë mjeku Edmond Gashi.

Shërbimi faktikisht duhet të jepet falas në QSUT, por edhe pse pajisja e kobaltit ishte e rregullt deklarohej se nuk punonte. Madje gjatë hetimit, ka rezultuar se pajisja nuk ishte e vendosur në dhomën e duhur të izolimit duke përbërë rrezik për pacientet.

Në dosje evidentohet fakti se Kontrolli i Lartë i Shtetit, kishte bërë një audit në 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh duke hartuar edhe një sërë rekomandimesh por që për rastin nuk ka pasur referim në prokurori.

SPAK tashmë do hetojë skemën, përmes të cilës mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Gjithashtu, ata dërgonin pacientët për kurim te spitalet private, ndërsa më herët kishin refuzuar t’iu jepnin shërbim në shtet duke nxjerrë alibi të tilla si pritjet dhe radhët e gjata, kur në realitet nuk rezultonin të tilla.

Në lidhje me ngjarjen në fjalë pati reagime të forta në opinionin publik, por dhe atë politik. Në rrjetet sociale vërshuan reagimet në lidhje me përgjimet që ‘fundosën’ punonjësit e këtij spitali, që bënin pazare hapur, madje dhe planet për pushime luksoze në Tajlandë apo Maldive.
Personat e përfshirë në dosje

1. Edmond Gashi, mjek – “Arrest shtëpie” – Shpërdorim detyre

2. Alketa Ymeri (Pere) mjeke – “Detyrim paraqitje” Shpërdorim detyre

3. Brikena Qirjazi zv.drejtoreshë e QSUT “Detyrim paraqitje” Shpërdorim detyre

4. Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut “Detyrim paraqitje” Shpërdorim detyre

5. Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë, “Detyrim Paraqitje” Shpërdorim detyre

6. Halil Gashi administrator i klinikës Megis – “Detyrim paraqitje”

7. -Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie”, Fshehje e të ardhurave


Shtuar 14.07.2024 10:22