Skandali te Tatimet, zyrtari dhunon kolegen pasi e refuzoi, gruaja pushohet nga puna (VIDEO)

Një rast ngacmimi seksual në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve është bërë publik sonte në emisionin “Stop”. Një punonjëse ka denoncuar ngacmimin nga kolegu i saj 60-vjear, Mexhit Allushi.

Pas rasteve të përsëritura të ngacmimit dhe përndjekjes zonja i dërgoi email Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosit, për t’i shprehur ankesën për kolegun e saj.

Sërish nuk gjeti zgjidhje dhe drejtori nuk ndërmori asnjë veprim.

“Në datën 21.4.2022 rreth orës 14:00, i kam nisur një email z.Ceno Klosi, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, ku kam kërkuar një takim pasi në varësi direkte drejtoria ime varej nga ai. Të më krijonte 5 minuta mundësi për ta takuar. Reagimi ishte akoma më i tmerrshëm. Më lajmëruan që për shkak të emailit që unë dërgova do më lëviznin nga pozicioni i punës sepse kisha shqetësuar Drejtorin e Përgjithshëm. Nuk ndodhi sepse i bëra një kërkesë zv/drejtorit të asaj kohe dhe i thashë pse duhet, dhe në ato momente u qetësuan gjërat edhe ndenja. Mesa kuptova, vendi i punës është sipas humorit të drejtuesit”, shprehet denoncuesja.

Problemi kulmoi kur gjatë një auditimi pune në qytetin e Fierit, Mexhit Allushi ushtron dhunë fizike ndaj zonjës në fjalë. Edhe pse çdo është e filmuar nga kamerat e sigurisë së institucionit, sërish nuk u mor asnjë masë.

“Ishte dita e fundit kur mbaruam kontrollin dhe në ato momente futemi në zyrë dhe kolegu i drejtohet koleges së Fierit dhe i kërkon numrin e telefonit. Në këto momente ajo ka pasur një problematikë shëndetësore me një nga familjarët, të më fali që po e përmend, dhe do largohej nga Shqipëria. I them zonjës, të lutem, thuaji z.Mexhit ditët kur nuk do jesh në Shqipëri se telefoni mund të dali i mbyllur. Sepse ai aludonte që mbase ngaqë ishte femër mund t’i kenë dërguar problematikat dhe i rrinte ftohtë dhe nuk doja që ta konfliktoja për çështje pune sepse gjithë kohës ai i mendonte për keq gjërat, jo për mirë. Në atë moment u bë agresiv dhe tha shiko tha se unë jam një burrë i martuar me dy fëmijë dhe nuk ngacmoj gra jashtë punës. Është irrituar dhe shan me veprime me gjestikulacione të tmerrshme. Në atë moment ai haxhitohet, mbyll derën dhe vjen ma fut me këmbë poshtë këmbëve te tavolina dhe në ato momente çohem me shpejtësi, hap derën. Në ato momente, kushdo të ishte, zotëria kishte një çantë tip portofoli, e kam marrë dhe e kam lëshuar drejt murit për t’i thënë boll se e teprove. Zgjodha çantë se ishte një çantë portofol dhe ishte një çantë shumë e lehtë”, vijon denoncimin zonja.

Zonja bëri denoncim në polici dhe materiali iu përcoll prokurorit Andi Pogaçe, por ky i fundit nuk nisi procedim penal, edhe pse zonjën nuk e thirri asnjëherë për ta pyetur për rrethanat.

Dhuna fizike e ushtruar ndaj nëpunëses ishte dhe objekt diskutimi nga sektori i Anti Korrupsionit tek Tatimet. Drejtoresha e komisionit në këtë institucion dhe anëtarët e tjerë, pasi shqyrtuan rastin, morën masën më absurde. Ata hoqën nga puna viktimën e ngacmimit seksual dhe të dhunës fizike të ushtruar ndaj saj në zyrat e shtetit.

“Dy inspektorët të cilët u morën me çështjen time, të cilët në mënyrë jo profesionale, në mënyrë jo etike dhe njëra prej inspektoreve është dhe femër dhe më vjen përsëri shumë keq sepse ajo është grua, është nënë, bashkëshorte, është tjetërsuar komplet ngjarja. Emailet e mia të cilat i kam vënë në dispozicion gjatë intervistës që më kanë thirrur dhe kam dhënë nuk është asnjëri nga emailet, asnjëri nga provat e mia që ia kam dhënë zonjës në dorë, është tjetërsuar komplet. Janë emaile të cilat vërtetohen shumë lehtësisht nëpërmjet platformës së AKSHI-t. Lëshimi i kësaj çante degradoi deri në heqjen time nga puna. Ditën e parë kur tregova provat, komisioni u shtang. Unë nuk di, nuk ka fjalë, nuk ka shprehje të cilën mund të shprehësh domethënë në qoftë se edhe unë mund të isha gabim, vetëm dhuna psikologjike që më është dhënë gjatë 3 viteve, vetëm dhuna fizike që u ushtrua ndaj meje atë ditë ishte…dhe komisioni më quajti mua fajtore sepse kam shkelur rregullat e etikës, kam shkelur etikën sepse hodha një çantë në mur për t’i tërhequr vëmendjen agresorit tim”, u shpreh zonja.


Shtuar 11.01.2023 22:16