Skandali me taksat, shkarkohet kryetari i Partisë Konservatore në Britani

Kryeministri britanik Rishi Sunak shkarkoi kryetarin e Partisë Konservatore Nadhim Zahawi të dielën pasi një hetim arriti në përfundimin se ai kreu një shkelje serioze duke fshehur një hetim mbi taksat e tij. Është skandali i fundit që godet partinë e kryeministrit.

Zoti Sunak fillimisht e kishte mbështetur zotin Zahawi por më pas i kishte kërkuar një këshilltareje të pavarur që të hetonte mbi këtë çështje, pasi doli në pah se zoti Zahawi kishte arritur një marrëveshje me agjencinë britanike të taksave HMRC vitin e kaluar lidhur me taksat e tij.

Zoti Zahawi ka thënë se organi tatimor arriti në përfundimin se ai kishte qenë “i pakujdesshëm” me deklaratat e tij, por nuk kishte gabuar qëllimisht për të paguar më pak taksa, duke konfirmuar se i kishte paguar një gjobë HMRC-së.

Këshilltarja e pavarur e caktuar nga zoti Sunak, Laurie Magnus tha se zoti Zahawi nuk deklaroi se taksat e tij po hetoheshin kur u emërua për një kohë të shkurtër ministër financash vitin e kaluar dhe nuk dhe detaje kur zoti Sunak e emëroi në detyrën aktuale.

“Pas përfundimit të hetimit të Këshilltares së Pavarur. është e qartë se ka pasur një shkelje serioze të Kodit Ministerial,” tha zoti Sunak në një letër drejtuar zotit Zahawi.

“Si rezultat, ju njoftoj vendimin tim për t’ju larguar nga posti.”

Shkarkimi i kreut të partisë është një shqetësim tjetër për zotin Sunak, pas një viti kaotik me tre kryeministra të ndryshëm britanikë.

Qeveria e tij e cila po përballet me inflacionin më të lartë prej dekadash dhe një valë grevash në sektorin publik, ka pasur rezultate të dobëta në sondazhet përpara zgjedhjeve të pritshme të 2024-ës./voa