Skandali me shitjen e vend varrimeve në Tufinë, gjykata merr vendim për zyrtarët e arrestuar

Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për personat e arrestuar lidhur me skandalin e varreve në Tufinë ku qytetarët duhej të paguanin një shumë të caktuar për të blerë vende për varret dhe gjithashtu nëpërmjet pagesave arrinin të legalizonin banesat e tyre.

Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për shtetasit: Eljodor Ndini, Alban Ajazi, Latif Shehu, Gazment Daja.

Ndërkohë është vendosur “arrest shtëpie” për Endri Milla, Bujar Lici, Fatjon Gjonaj. Për shtetasin Xhemal Mena është vendosur masa “detyrim paraqitje”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit nga 30.000 deri 50.000 lekë të rinj, duke shpërdoruar detyrën, kanë siguruar vendvarrime për shtetas të ndryshëm, në varrezat e Tufinës.

Gjithashtu, dyshohet se nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të sektorëve të tjerë, mundësonin nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit, nga institucionet përgjegjëse, për banesat e dëmtuara nga tërmeti, kundrejt pagesës 200.000 lekë të rinj;  nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë ASHK-së; përfitimin e certifikatave të vaksinimit kundër Covid-19, kundrejt pagesës 30.000 lekë të rinj, si dhe përfitimin e kredisë të butë pranë bashkisë Tiranë./albeu.com