Skandali me pagat, Alibeaj: Datojnë 4 muaj para zgjedhjeve, ajo dorë ka mbledhur më shumë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dënuar edhe njëherë daljen e të dhënave personale. Të dhënat e pagës së mbi 600 mijë shqiptarëve po qarkjullojnë prej orësh në “Whatsapp”.

I ftuar në studion e Radar Informativ me Jonida Shehun, Alibeaj theksoi se situata bëhet më dramatike, pasi sipas tij të dhënat përdoren nga shteti për të shantazhuar qytetarët.

“Nuk është episodi i parë. Në fillim ishte ai patronazhistëve. Ky i dyti e plotëson dhe e përmbush tashmë dhe nuk beson që ka ndonjë dyshim. Nuk është rastësore. Kushdo me dy pare mend në kokë e kupton që për sa kohë 910 mijë shqiptarë u nxorën të dhënat dhe u përdorën për zgjedhje. PS jo vetëm qe  pranoi por i mbrojti. I përdor pushteti në këtë rast e bën dramatike situatën.

Ndjehesh e tradhtuar në të dhënat e tua personale? Sigurisht, numri i kartës, paga, të dhëna të tjera. Ndjeshmëria e parë është të qenit i survejuar. Ne e kemi kaluar deri në vitet 90 të qënurit i survejuar nga sigurimi i shtetit. Këto të dhëna i përdor shteti yt për të të shantazhuar”,- deklaroi ai.

Alibeaj shton se të dhënat në fjalë datojnë katër muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, duke e lidhur edhe me të dhënat që dolën më herët, ato të votuesve. Demokrati shton dyshimet për të njëjtën dorë. Sipas tij, përgjegjësia në këtë rast nuk duhet të shkojë mbi individin, teksa të dhënat vijojnë të shpërndahen.

“Shqiptarët sot ndjehen të frikësuar nga shteti shqiptar. Këto janë të dhëna të janar të 2021, 4 muaj para zgjedhjeve. Kemi të drejtën për të dyshuar në mënyrë të arsyeshme. Do ishte diskutim tjetër nëse do ishin në nëntor. E futur në panoramë, në kontekst të dhënat..kam një përshtypje që ajo dorë i ka përdorur, ka mbledhur më shumë se kaq. Kanë kaluar 24 orë ku çdokush në celular e ka. Edhe unë e kam. E kam pranuar. Sepse kam pasur edhe unë ato dyshimet e mia. Por fakti që ka dalë më shtyn mua si qytetar se çfarë shteti kemi ne. Kemi një shtet që nuk na mbron. Kurioziteti është njerëzor në këtë rast. Për këtë arsye ekziston shteti. Pesha e përgjegjësi nuk është mbi individin,” theksoi ai.

PD kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kjo është situatë e përsëritur dhe se në të parën, Rama jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë, por i mori në mbrojtje patronazhistët.

“Shteti ekziston për të parandaluar të tilla ngjarje. Nuk është hera e parë. është e dyta herë së paku në një kohë shumë të shkurtër kur pamë sjelljen e kryeministrit që jo vetëm nuk mbajti një qëndrim të përulur, por u doli në mbrojtje,” -deklaroi Alibeaj./abcnews.al/