Skandali me listën e pagave, Rama: Kërkoj ndjesë, janë publikuar për të krijuar destabilitet

Kryeministri Edi Rama ka dalë në deklaratë për media për të folur në lidhje me rrjedhën e të dhënave personale dhe pagës së mijëra punonjësve në Shqipëri.

Rama e ka nisur fjalën e tij duke kërkuar ndjesë dhe është shprehur se kjo është bërë me qëllim krijimin e konfuzionit dhe destabilizimit.

“Në radhë të parë, ju kërkoj ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private. Dhe ndërkohë, duhet ta nënvizoj që në fillim që kjo është një ngjarje që meriton të hetohet imtësisht. Uroj dhe bëj thirrje organeve ligjzbatuese dhe Prokurorisë të kryejnë hetim me të gjithë kapacitetet. Në këndvështrimin tim nuk është e vështirë të shohësh që këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar, për të krijuar konfuzion dhe për të krijuar detabilitet. Duke marrë parasysh deklaratat e bëra në Foltore, mund të mos jetë e fundit. Thirrja ime për prokurorinë është të hetojë të gjithë pa përjashtim, inspektorët e tatimeve të cilët kanë akses në sistemin e pagave, ata që aktualisht puonjnë në këtë sistem apo të tjerë që mund të jenë larguar nga ky sistem në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri më sot”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 23.12.2021 12:42

Tags: