Skandali i patronazhistëve, Meta reagon pas vendimit të të Strasburgut: Turp i botës!

Ditën e sotme Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka hedhur poshtë vendimin e SPAK për sekuestrimin e pajisjeve të punës, kompjuterave dhe celularëve të redaksisë së Lapsi.al pas publikimit të skandalit të patronazhistëve.

Pas këtij lajmërimi të rëndësishëm ka reaguar Presidenti Meta i cili ka deklaruar se e gjithë bota është alarmuar me atë që po ndodh në vendin tonë.

Presidenti Ilir Meta shkruan: E gjithë bota është alarmuar mbi atë që po ndodh në Shqipëri. Pas vendimit të sotëm urgjent të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut kundër sekuestrimit të pajisjeve kompjuterike dhe elektronike të gazetarëve të Lapsi.al, një tjetër institucion prestigjoz ndërkombëtar ngre alarmin. Transparency International, thotë:

“Autoritetet shqiptare duhet, pa vonesë të mëtejshme, të qartësojnë nëse partia në pushtet ka marë të dhënat personale të votuesve të Tiranës nga regjistrat shtetërorë dhe abuzoi me burimet shtetërore për të siguruar fitoren gjatë zgjedhjeve parlamentare të së dielës”.

“Është e pakonceptueshme që zyrtarët e Qeverisë e kanë minimizuar rëndësinë e këtyre zbulimeve. Dështimi për të hetuar siç duhet e për të ndëshkuar shkeljet do të hedhë hije mbi ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. U bëjmë thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë t’i kenë parasysh këto çështje si pjesë e vlerësimeve të tyre”.

Dy kërkesat zyrtare që Presidenti i Republikës i ka përcjellë SPAK për nisjen urgjent të hetimeve për bazën kombëtare të të dhënave personale në administrim të strukturave partiake të Partisë Socialiste, si dhe për intensifikimin e hetimeve, kanë gjetur deri tani vetëm heshtjen e këtij institucioni.

Bëj edhe një herë thirrje për veprimin me urgjencë, në kushtet kur Shqipëria po bëhet turpi i botës për krimet skandaloze zgjedhore në shërbim të Kryeministrit ende në detyrë. /albeu.com/

Shtuar 22.04.2021 16:00