Skandali Balluku në një shtet demokratik do kishte rrëzuar qeverinë/ Fatos Lubonja: Rama bëri një veprim që nuk ndryshoi asgjë

Ditën e sotme, analisti i njohur Fatos Lubonja, teksa ishte i ftuar në News 24, ka theksuar se në një shtet ligjor dhe demokratik, një skandal si i Belinda Ballukut, zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë së shkarkuar, do të kishte rrëzuar qeverinë.

Gjithahstu, analisti u shpreh se opinioni qytetar ka shumë rëndësi, dhe se nga një skandal i tillë, partia në pushtet do të duhej të kishte marrë masa.

“Në një shtet ligjor këto nuk duhej të ndodhnin. Në një shtet ligjor, demokratik, zhvillimet duhet të ishin krejt të tjera këto që janë. Një skandal i përmasave të tilla do të kishte rrëzuar qeverinë, do të kishte ndryshuar kreun e PS. Sepse në një shtet të atillë, opinioni ka shumë rëndësi dhe për të ruajtur nga rënia e sondazheve që vjen menjëherë në raste të tilla në një vend normal, do të ishin marrë masa në parti. Këtu jemi në një shtet banditësh që e kanë marrë pushtetin në forma bandisteske”, u shpreh analisti.

Duke komentuar ndërhyrjet në Kodin e Procedurës Penale, Lubonja u shpreh se kryeministri po kërkon që të bëjë një ligj autokratik.

Sipas tij, kreu i qeverisë ka arritur të luajë lojën se po ndërtojmë një shtet që po afrohet me BE-në, ndërsa nga ana tjetër, me ndërhyrje të tilla, kërkon të mbajë nën kontroll drejtësinë.

Duke u ndalur te ndryshimet në qeveri, ai theksoi se veprimi për të shkarkuar Belinda Ballukun nga posti i zv kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në thelb nuk ka ndryshuar asgjë, pasi në kabinet ka futur njerëz të saj.

Sipas Lubonjës, Rama bëri këto lëvizje vetëm për konsum të jashtëm, për t’u thënë ndërkombëtarëve se po veproj për këtë skandal.

“I duhet të bëjë sikur po i bëj këto. Për konsum të jashtëm se i duhet legjitimiteti nga ndërkombëtarët. Shqipëria është në një kontekst ndërkombëtar ku nuk mund të mbijetojë një pushtet pa legjitimim ndërkombëtar. Ngjarja Balluku bën mu në kuptimin e zhvillimeve në Shqipëri që janë kundra shtetit të së drejtës, pakësimit të korrupsionit etj.

Në këtë aspekt i duhet të bëjë një veprim. Por i duhet të ruajë edhe sistemin që ka ndërtuar nëpërmjet të cilit merr vota. Pra bën një veprim sipas parimit ndryshon gjithçka që të mos ndryshojë asgjë. Ndryshimi pra është aparenca unë e hoqa Ballukun, por ndërkohë vë zëvendësit e Ballukut, që ato hallkat e sistemit që ka ndërtuar Rama të vazhdojnë të punojnë sikurse kanë punuar. Të vazhdojnë tenderat klienteliste, atyre pjesëve të sistemit të ndërtuar që i kanë siguruar pushtetin Edi Ramës”, shtoi ai.

Pyetjes nëse kryeministri mund të jetë kërcënuar nga Balluku, analisti iu përgjigj:

“Të shtosh 50 milionë në kurriz të shqiptarëve është një krim. Por këtë e ka kryer Edi Rama i pari. Ajo që qëndron në këtë është që mundet që Balluku i ka thënë zotëri këto i kam bërë me urdhrin tënd. Kam edhe dokumentet. Nuk di a e kërcënuar apo mund t’i ketë thënë se nuk i rezistoj dot presioneve të SPAK dhe unë i them këto. Pra presioni nuk është nga Balluku sa ça është nga e vërteta”.


Shtuar 3.03.2026 15:16