Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka reaguar lidhur me një procedurë tenderimi në Bashkinë e Himarës, duke ngritur shqetësime për mënyrën e menaxhimit të pronave në disa fshatra të zonës.
Sipas PD-së, procesi nuk përbën vetëm një procedurë administrative, por “një operacion të mirëorganizuar” që, sipas PD-së, mund të rrezikojë interesat e banorëve dhe pronësinë mbi mijëra pasuri në zonë.
Të lidhura
None found
Vangjeli pretendon se nën drejtimin e kryetarit të bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, është shpallur fituese e një tenderi me vlerë mbi 500 mijë euro kompania EC PRO PARTNERS shpk, me objekt menaxhimin dhe regjistrimin e pronave në disa fshatra të bashkisë.
Sipas saj, projekti përfshin regjistrimin sistematik të rreth 7,300 pronave në zona si Çorraj, Fterrë, Gjilekë, Kallarat, Pilur dhe Himarë, si dhe krijimin e një baze të dhënash përkatëse.
PD shprehet se përfshirja e një kompanie private në këtë proces ngre pikëpyetje për rolin e saj në përcaktimin e pronësisë dhe për transparencën e procedurës, duke paralajmëruar për “rreziqe të mundshme për favorizime klienteliste”.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Ajo që po ndodh sot në Himarë, nuk është thjesht një procedurë administrative por një operacion i mirëorganizuar që rrezikon të vendosë në duart e interesave private fatin e mijëra pronave të banorëve të zonës.
Nën drejtimin e Vangjel Tavos, Bashkia Himarë ka shpallur fituese kompaninë ‘EC PRO PARTNERS’ shpk për një tender me vlerë mbi 500 mijë euro, me objekt: ‘menaxhimin e pronave’ në disa fshatra të Himarës. Dokumentet tregojnë se kompania private do të kryejë regjistrimin fillestar sistematik të pasurive, dhe të tjera e gjithashtu krijimin e bazës së të dhënave për rreth 7308 prona në Çorraj (944 prona), Fterrë (528), Gjilekë (962), Kallarat (750), Pilur (391) dhe Himarë (3733).
Një kompani private do të ketë një rol dominues në procesin që përcakton se kush është pronar dhe kush jo në një nga zonat më të lakmuara të Shqipërisë. Kompania fituese ka qenë më herët partnere në projekte miliona eurosh me ‘Gjikuria’ shpk, një emër i njohur për interesat e tij të mëdha ndërtimore dhe pronësore në bregdetin e jugut. Kjo ngre dyshime serioze për një skemë që mund të përdoret për të favorizuar klientët e pushtetit në kurriz të pronarëve të ligjshëm.
