Ministria e Mbrojtjes publikoi mbrëmjen e së dielës të dhënat më të fundit për situatën e zjarreve në Shqipëri. Gjatë ditës janë evidentuar gjithsej 8 vatra në qarqet e Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Lezhës.
Nga numri i përgjithshëm i vatrave, 6 vazhdojnë të jenë aktive, kurse 2 ndodhen nën kontroll ose monitorim. Në operacionet në terren janë përfshirë 227 forca, ndërsa për zjarrin në lagjen Boje të Krujës është kërkuar ndërhyrja e 50 efektivëve ushtarakë. Për shuarjen e flakëve janë vënë në dispozicion edhe automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe një mjet fluturues i FA-së në Cikallesh.
Të lidhura
None found
Disa vatra janë riaktivizuar në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita, ku ekipet po vijojnë ndërhyrjen dhe mbikëqyrjen. Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit është ulur dhe vatra po shkon drejt shuarjes së plotë. Ndërkohë, në Priskë të Madhe po punohet për të kontrolluar disa vatra të vogla, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Mallakastër, në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht, operacioni për izolimin e vatrave po vazhdon, ndërsa zjarri është nën kontroll. Edhe në Koilaç–Greshicë flakët janë izoluar dhe situata është kontrolluar. Banorët dhe zonat e banuara nuk janë të rrezikuara.
Situata në Abaze të Krujës është stabilizuar, ndërsa në terren kanë mbetur vetëm vatra të vogla që nxjerrin prush dhe tym. Strukturat e angazhuara po vazhdojnë ndërhyrjen dhe monitorimin. Në lagjen Boje të Krujës, vështirësitë e terrenit dhe mungesa e rrugëve të aksesit kanë bërë të nevojshme kërkesën urgjente për angazhimin e 50 forcave ushtarake. As në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.
Në Vilëz të Kurbinit, zjarri mbetet aktiv në një sipërfaqe pyjore. Në operacion janë angazhuar 50 forca nga strukturat vendore, MZSH-ja, Policia dhe grupet vullnetare. Ndërhyrja ajrore e kryer me 2 helikopterë ndaloi përparimin e flakëve, duke parandaluar djegien e kishës, varrezave dhe banesave që ndodhen përreth.
