Si shpëtuan Meti dhe të tjerët nga anulimi i planit për dërgimin e shqiptarëve nga Anglia në Ruanda

Gjykata e Lartë në Britaninë e Madhe ka hedhur poshtë si të jashtëligjshëm planin për të dërguar në Ruanda emigrantët e paligjshëm që kapen atje.

Gjykata vendosi sot të ndalojë qeverinë në aplikimin e këtij plani pasi ekziston rrisku që emigrantët të rikthehen në vendet e origjinës nga ku ikën duke u përballur me rreziqe më të mëdha, raporton AlbEu.com.

Anulimi i këtij plani është një lehtësim për mijëra shqiptarë që kanë kërkuar azil dhe kanë shkuar përmes rrugëve të paligjshme në Britaninë e Madhe. Njëri prej tyre është Meti, të cilin DailyMail iu referuar disa ditë më parë teksa shprehte shqetësimet për planin e dërgimit në Ruanda.

“E di se emri im është në listën që do të fluturojë drejt Ruandës. Shqetësohem gjithë kohën se do më detyrojnë të shkoj dhe të jetoj atje”, shprehej ai për mediat britanike disa ditë më parë.

Ai tha se shpëtoi për pak fluturimit për në Ruandë në qershor të këtij viti. Ai ishte vetëm disa hapa larg avionit, kur fluturimi u anulua në minutën e fundit.
“Dera ishte e hapur, duart i kisha të lidhura dhe po më mbanin dy roje sigurie. Më pas një zyrtar i emigracionit u shfaq dhe tha ‘nuk ka fluturime për sot”, tha ai.

“Më mirë ta mbaj kokën ulur. Dua të fitoj para për t’i dërguar përsëri te mamaja ime e vet në Shqipëri. Ajo mbijeton duke shitur qumështin e dy lopëve tona. Nuk jam detyruar të vij këtu.

E zgjodha sepse doja një jetë më të mirë. Nuk u trafikova dhe nuk e kam dëgjuar kurrë atë term derisa më pyetën këtu nëse kisha ardhur kundër vullnetit tim. E dija se mund të fitoja deri dhjetë herë më shumë në Angli.

Vendosa të largohem sepse shokët e mi kishin ikur tashmë në Europë ose në Britani. Nuk kishte mbetur pothuajse asnjë djalë i ri,” thotë ai, duke theksuar se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do përfundonte në Afrikë”, u shpreh Meti.

Meti është njëri mes mijëra shqiptarëve që shpëtuan nga ky plan. /albeu.com


Shtuar 15.11.2023 11:53