Si po e përdor Putin kaosin në Ballkan për të shpërqendruar Perëndimin

Nga Ivana Stradner “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Javën e kaluar, serbët e veriut të Kosovës, plagosën rreth 25 anëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s pas protestave të dhunshme atje. Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës kanë qenë gjithmonë të larta, pasi Serbia nuk e njeh sovranitetin e kësaj të fundit.

Ndërsa tensionet në Kosovë janë rritur muajt e fundit, kjo shënon deri më tani përplasjen më të dhunshme. Dhuna  shpërtheu në komunën ne Zveçanit. Para shpërthimit të dhunës, policia e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse të NATO-s u vendosën në ruajtje të ndërtesave komunale në Zveçan dhe 3 komuna të tjera të Kosovës veriore, pasi në to sapo ishin mbajtur  zgjedhjet lokale, të cilat i bojkotuan nga shumica e serbëve.

Presidenti serb Vucic e mbështeti bojkotin e zgjedhjeve, duke theksuar se serbët nuk duhet të tolerojnë “pushtimin” e huaj. Ndërsa serbët bojkotuan në masë zgjedhjet, pati vetëm një pjesëmarrje prej 3.5 për qind të votuesve. Kështu në 4 komunat u zgjodhën kryetarë nga partitë etnike shqiptare.

Kryeministri i Kosovës tha se kjo pjesëmarrja e ulët ishte pasojë e “fushatës kërcënuese të orkestruar nga Beogradi… dhe shantazhit nga ana e grupimeve kriminale”. Besohet se protestuesit u mbështetën nga Beogradi, dhe ata refuzuan të pranonin rezultatet e zgjedhjeve.

Vucic shprehu mbështetje për protestuesit, duke deklaruar se ata po kryenin “një kryengritje politike paqësore” në përgjigje ndaj padrejtësive të bëra nga “pushtuesit e tyre”. Pas zgjedhjeve, protestuesit u përpoqën që t’i pengonin të zgjedhurit të hynin brenda ndërtesave komunale.

Pasi protestuesit serbë filluan të sulmojnë trupat e NATO-s dhe forcat e policisë së Kosovës, trupat e NATO-s u detyruan të përdorin gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për t’i ndaluar protestuesit që të sulmonin me dhunë. Protestuesit u përgjigjën duke hedhur gurë dhe sende të tjera të forta ndaj tyre.

Në një deklaratë, NATO u shpreh: “Disa ushtarë të kontingjentit të KFOR-it italian dhe hungarez, ishin subjekt i sulmeve të paprovokuara dhe i traumave, thyerjes dhe djegieve trupore për shkak të shpërthimit të mjeteve ndezëse”.

Ndërkohë, protestuesit shkruan parulla dhe simbole nacionaliste mbi makinat e policisë së Kosovës. Presidenti serb Aleksandr Vucic deklaroi: “Pasojat nga përleshjet janë të mëdha dhe të rënda dhe fajtori i vetëm është kryeministri i Kosovës Albin Kurti… I lutem komunitetit ndërkombëtar të sigurohet që Albin Kurti të nisë së jetë i arsyeshëm”.

Vucic shtoi se 54 serbë ishin plagosur gjatë përplasjeve të dhunshme, dhe që atëherë e ka vendosur ushtrinë serbe në “gatishmëri të lartë”, duke mbajtur një takim me Këshillin e tij të Sigurisë Kombëtare për të përcaktuar një strategji “që synon forcimin e aftësive mbrojtëse të Serbisë”.

Pasi Franca dhe Gjermania sugjeruan mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 4 komunat për të zbutur tensionet, presidentja e Kosovës deklaroi të enjten se është “e gatshme ta shqyrtojë këtë mundësi”. SHBA-ja e akuzoi  Kosovën për përshkallëzim të situatës, ndërsa ambasadori amerikan tha: “Veprimet e ndërmarra nga qeveria e Kosovës… kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri”.

Ky qëndrim kritik u pasua nga ai i presidentit francez Macron, që akuzoi gjithashtu zyrtarët kosovarë për përshkallëzimin e krizës. Nga ana e tij shefi i NATO-s Jens Stoltenberg theksoi  se “Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”.

Për shkak të dhunës së rishfaqur, rezultat, Shtetet e Bashkuara anuluan pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen e vazhdueshme të NATO-s “Defender Europe 23”. Deklaratat “balancuese” perëndimore janë një ëndërr e realizuar për Beogradin dhe Moskën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska “e mbështet absolutisht dhe pa kushte Serbinë”. “Ne i mbështesim serbët por Kremlini nuk mund t’i besojë BE-së për përmbushjen e marrëveshjeve për Kosovën”- shtoi ai.

Ndërkohë ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, tha se situata në Kosovë ishte një “luftë hibride”, dhe se Perëndimi po e shtyn Serbinë të njohë Kosovën. Po ashtu, ambasadori rus pretendoi se kundërshtarët e presidentit serb Aleksandar Vucic duan që të kryejnë “një grusht shteti të stilit të Maidanit”.

Vetëm pak ditë para kësaj deklarate, presidenti serb pretendoi se shërbimet sekrete nga Evropa Lindore e paralajmëruan atë për tentativën e një revolucionit shumëngjyrësh.

Drejtori serb i Agjencisë së Inteligjencës Vulin, u takua javën e kaluar me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit Rus Nikolai Patrushev dhe diskutoi mbi marrëdhëniet ruso-serbe. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e quajti “shqetësuese” shpërthimin e dhunës në Kosovën Veriore, dhe ia hodhi fajin Perëndimit.

Ai theksoi se dhuna po shpërthen në qendër të Evropës, pikërisht në vendin “ku në vitin 1999, NATO ka kryer agresion kundër Jugosllavisë”. Por pse Rusia dhe Serbia do të përfitonin nga përshkallëzimi në Kosovë?

Rusia e sheh rajonin si hallkën më të dobët të Evropës, ndaj Moska ka përdorur operacionet informative për të ndezur tensionet etnike dhe për të inkurajuar protestat, për të nëshkruar marrëveshje për shitje armësh, për ta përfshirë veten në infrastrukturën kritike të energjisë, si dhe për të shfrytëzuar lidhjet e gjata fetare dhe kulturore midis Kishës Ortodokse Ruse dhe Kishës Ortodokse të Serbisë.

Përpjekjet e Putinit për të shtyrë Serbinë dhe Kosovën në prag të një lufte të re, dhe për të rritur tensionet në Ballkanin Perëndimor, synojnë ta pozicionojnë pastaj atë si ndërmjetësi i vetëm rajonal dhe garantuesi i sigurisë. Duke qenë se NATO ka një mision paqeruajtës në Kosovë, Kremlini synon të tregojë se NATO nuk është një partnere e besueshme për Kosovën.

Ndërsa Moska vazhdon të humbasë në fushën e betejës në Ukrainë, Putini po e përdor kaosin në Ballkan për ta shpërqendruar Perëndimin. Presidenti serb Aleksandar Vucic ka interesa strategjike më të menjëhershme në ndërhyrjen e Rusisë, përderisa kaosi në rajon do ta lejojë atë të përcaktojë veten si një forcë për stabilitet.

Taktika e preferuar e Vucic është përshkallëzimi dhe më pas de-përshkallëzimi, si dhe përdorimi i Kosovës si mjet pazaresh me Perëndimin. Qëllimi i tij përfundimtar është të qëndrojë në pushtet për aq kohë sa të jetë e mundur. Duke e shtypur opozitën properëndimore në Serbi dhe duke forcuar pozitat e nacionalistëve të ekstremit të djathtë, Vucic e ka pozicionuar veten në sytë e botës perëndimore si një marrëveshje-bërës i moderuar.

Kjo manovër taktike duket se është e njohur mirë nga vëzhguesit e Kremlinit, pasi ngjan shumë me strategjinë politike të Putinit në fillimin e karrierës së tij politike. Për më tepër, Vucic përballet me sfida të rëndësishme brenda sferës së tij të brendshme. Pas 2 masakrave me armë në Serbi në muajin maj, kundër qeverisë së tij ka protesta çdo javë.

Ndaj Vucic po e shpërqendron audiencën e tij të brendshme dhe po e shfrytëzon në mënyrë strategjike situatën në Kosovë si një instrument politik. Tre dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, përplasjet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës kanë rindezur tensionet e vazhdueshme etnike dhe kanë shkaktuar shqetësim në Perëndim.

Ndërsa Rusia dhe Serbia vazhdojnë t’i hedhin benzinë ​​zjarrit në Kosovë, situata është mjaftueshëm e rëndë për të tërhequr vëmendjen e udhëheqësve perëndimorë. Dhe ndërsa kjo është edhe e kuptueshme edhe e përshtatshme, ata nuk duhet të lejojnë që fokusi i tyre kryesor të largohet nga Ukraina, siç padyshim shpreson Putin.

Shënim:Dr.Ivana Stradner është këshilltare e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive. Puna e saj përqendrohet në strategjitë e sigurisë dhe doktrinat ushtarake të Rusisë në lidhje me operacionet e informacionit.

/albeu.com

 


Shtuar 5.06.2023 11:21

Tags: