“Si mund të largosh kur është vetëm 3 pikë larg Milanit”?

Kristian Vieri është një emër që e njeh shumë mirë Rino Gatuzon, pasi ka luajtur për shumë vite në radhët e përfaqësueses përkrah ish-mesfushorit i cili është trajneri i Napolit aktualisht. Por miqësia mes tyre nuk është ajo që e shtyn të mendojë se Napoli po gabon duke u munduar të largojë teknikun.

Duke folur në një lidhje direkte në “Twitch”, ai ka shpjeguar se e shihte si shumë të pakuptimtë ngutin për të larguar një trajner i cili skuadrën aktualisht e kishte çuar vetëm 3 pikë larg vendit të dytë në renditje.

“Duan ta largojnë? Ai është vetëm 3 pikë larg Milanit, i cili ka bërë gjithë kampionatin në vendin e parë apo të dytë, ndërsa te Napoli duan ta largojnë. U bënë katër muaj që dëgjoj se Gatuzo duhet të largohet sipas asaj që shkruajnë gazetat por unë e kam thënë gjithmonë që të kaltrit do të ktheheshin protagonistë sapo të riaftësoheshin të dëmtuarit që kishin. Rezultat i japin të drejtë, shumë të drejtë Gatuzos. Si mund ta kontestosh?”, ishin fjalët e ish-sulmuesit.

 


Shtuar 23.04.2021 23:48