Shullazi me përforcime, avokatja amerikane i shtohet mbrojtjes

I cilësuar si kreu i një prej bandave më të rrezikshme në vend, Emiljano Shullazi po lëviz të gjithë gurët që ka në dispozicion, për të pasur një dënim më të lehtë nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa tashmë çështja e tij është në apel.

Në ambientet e GJKKO-së është shfaqur sot një avokate amerikane, e cila do të asistojë procesin ndaj tij, së bashku me mbrojtësin shqiptar Vladimir Meçe, ndërsa kërkohet një dënim më i lehtë se ai me 14 vite burg që dha shkalla e parë e GJKKO-së.

Burimë bëjnë me dije se avokatja që do të asistojë procesin ndaj Shullazit është Lambrini Nassis, ndërsa seanca e sotme do të jetë e para që zhvillohet në praninë e saj.

Nassis është një avokate greko-amerikane që i bashkangjitet kështu trupës së mbrojtjes dhe është e miratuar nga dhoma e avokatisë.

Emiliano Shullazi është një personazh i njohur për policinë kriminale në vend, por veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës. Në këto qytete ai ka qenë i dyshuar për aktivitete të ndryshme kriminale.

Për gjatë viteve, Shullazi është akuzuar për krime të ndryshme të rënda që nga vrasjet, shpërthimet me eksploziv, apo trafik dhe shitje e shpërndarje droge, si dhe akuza të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në mënyrë të vazhdueshme ai ka qenë i dyshuar dhe i hetuar disa herë për gjobëvënie dhe shtrëngim me dhunë dhe kanosje për dhënie pasurie, por në shumë pak raste ai është hetuar. Shullazi mbahet nën regjimin 41 bis, ku i ndalohet që të ketë kontakte me jashtë, dhe i monitorohet çdi telefonatë.

Sipas avokatit të tij kjo është e paligjshme sa kohë që për Shullazin nuk ka një vendim të formës nga Gjykata, dhe nuk ka indicie që ai të ketë zhvilluar aktivitetin e tij kriminal gjatë  kohës kur ka qenë i izoluar.


Shtuar 21.04.2021 10:22