Shtrinë përtokë gazetarin sepse po filmonte, SHÇBA nis hetimin ndaj policëve

Gazetari i News24, Ergys Gjençaj, ndodhej sot gjatë një operacioni të policisë në arrestimin e disa personave.

Por si pasojë, policia ka vepruar ashpër ndaj tij, duke e shtrirë në tokë dhe arrestuar pasi po filmonte ngjarjen.

Menjëherë pasi u njoh përmes medias, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, ka nisur verifikimet për të parë nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e Policisë së Shtetit, sa i përket veprimeve me gazetarin gjatë një operacioni në kryeqytet.

“SHÇBA do të kryejë çdo veprim hetimor, për të zbardhur shpejt dhe saktë dinamikën dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla. SHÇBA garanton opinionin publik dhe mediat, se mbeten të angazhuar e të hapur për të bashkëpunuar në kuadër të informimit dhe transparencës me publikun,” shkruhet në njoftim.Dhuna e sotme fizike ndaj reporterit në detyrë Ergys Gjençaj, ka sjellur edhe reagimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilat kanë dënuar dhunën fizike të policisë ndaj gazetarit, teksa ishte duke filmuar momentet kur drejtuesi i një automjeti “Benz” iu arratis policisë gjatë një operacioni anti-drogë te “Varri i Bamit”.

Unioni i Gazetarëve e konsideron aktin si “incident të rëndë” dhe sjelljen e “bluve” si “arrogancë policore”, ndërsa kërkon vënien para përgjegjësisë të aktorëve.


Shtuar 27.07.2021 16:49