“Shteti bektashi”/ Rama u përgjigjet kritikëve: Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje

Kryeministri Edi Rama, u është kundërpërgjigjur kritikëve të cilët përgjatë ditëve të fundit, janë pozicionuar kundër idesë së krijimit të një shteti sovran të bektashinjve në Tiranë.

Në një postim neë rrjetet sociale, kreu i qeverisë Edi Rama, ka akuzuar rivalët politikë për padije mbi rolin e bektashinjve në historinë e Shqipërisë, duke përsëritur se ai është i vendosur në krijimin e një Vatikani të dytë në Tiranë.

“Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë”, tha Rama.

Gjithashtu, kryeministri Edi Rama, vuri në dukje rëndesinë që ka për mbijetesen e bektashizmit ndërtimi i një shteti të pavarur.

“Të adresosh sot këtë çështje do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë”, shtoi Rama.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama, ka sqaruar se ndërtimi i këtij shteti sovran do të kërkojë kohë dhe ndryshime ligjore.

“Nga ideja te jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota”, shtoi kreu i qeverisë.

Për herë të parë ideja e krijimit të një shteti të pavarur bektashi në Tiranë, u prezantua nga kryeministri Edi Rama në një intervistë për “New York Times”.


Shtuar 25.09.2024 12:18