“Shqipëria të ndahet nga RMV në procesin e integrimit”, Meta pro, Tirana zyrtare kundër

Bullgaria është shprehur se nuk do të heqë dorë nga vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut dhe kërkoi që Tirana të shkëputej nga Shkupi nga procesi i integrimit që të mos paralizohej dhe ajo.

Disa ditë më parë, Presidenti Meta e përshëndeti këtë qëndrim të Bullgarisë duke shprehur kështu se është pro ndarjes së dy vendeve në rrugë drejt integrimit në BE.

“Përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003”, shkruante ndër të tjera Meta, por Tirana zyrtare nuk bie dakord me presidentin në këtë pikë.

Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli, në një intervistë për  “Zërin e Amerikës” u shpreh se Shqipëria nuk do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia dhe se beson që Bullgaria do të heqë veton.

“Shqipëria në fakt ka një shok të mirë në këtë rrugëtim, që është komshiu, bashkudhëtari i saj, që është Maqedonia e Veriut dhe besoj që ky ka qenë rrugëtim që kemi ditur të mësojmë nga gabimet e njëri tjetrit dhe të përfitojmë nga njëri tjetri. Kështu që nuk mendoj që Shqipëria do të kërkojë, të mund të shkëputet, dhe të duhet të shkëputet, besoj dhe shpresoj shumë, që me zhvillimet e fundit pas zgjedhore në Bullgari të heqë veton dhe t’i hapë rrugën Maqedonisë dhe Shqipërisë për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare, ku me gjasë do të marrim “OK”-in për hapjen e negociatave” tha Kodheli.

 

 


Shtuar 2.12.2021 19:28