Shqipëria vijon ta ketë të humbur garën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.
Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.
Ndonëse ekonomia po rritet më shpejt sesa rajoni, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse.
Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me tre pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).
Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.
Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.
Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën.
Ky tregues është për Shqipërinë sa 41% e mesatares europiane. Përkeqësim ka bërë Bosnjë-Hercegovinë, ku raporti është njëlloj me Shqipërinë në 41%, nga 42% që ishte në përditësimin e parë.
Rekordin e mban Mali i Zi me 63%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 50%.
Sipas Eurostat, Konsumi aktual individual, i referohet të gjitha mallrave dhe shërbimeve të konsumuara aktualisht nga familjet. Megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme, sqaron INSTAT.
Europa
Në vitin 2022, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në Bashkimin Europian patën dallime të konsiderueshme. E përdorur si masë e mirëqenies materiale të familjeve, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) varionte nga 69% në 138% të mesatares së BE-së në vendet e BE-së.
Ashtu si në vitet e mëparshme, Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të AIC për frymë në BE me 38% mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Austria dhe Gjermania (të dyja 18% më lart), Holanda (16% më lart) dhe Belgjika (15% më lart). ). Në vitin 2022, nëntë vende të BE-së regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së.
Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Bullgari (31% nën mesataren e BE-së), Hungari (29% më poshtë), Kroaci dhe Letoni (të dyja 24%) dhe Sllovaki (23% më poshtë).
Gjatë tre viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE-së ka ndryshuar në shumicën e vendeve të BE-së. Midis viteve 2020 dhe 2022, nivelet e AIC u rritën në 18 vende të BE-së, më së shumti në Bullgari (69% e mesatares së BE-së në 2022 krahasuar me 60% në 2020), Kroaci (76% nga 69%), Rumani (86% nga 81% ), dhe Irlandë (94% nga 89%).
Nga ana tjetër në shtatë vende të BE-së pati rënie të niveleve të konsumit aktual individual.
Uljet më të mëdha u regjistruan në Danimarkë (110% në 2022 kundrejt 121% në 2020), Gjermani (118% kundrejt 124%) dhe Finlandë (109% kundrejt 114%).
Luksemburgu dhe Irlanda ende shënojnë PBB-në më të lartë për frymë në 2022
Në vitin 2022, si në vitin 2020 dhe 2021, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në PPS në BE, në 156% dhe 135% mbi mesataren e BE-së.
Të dhënat tregojnë dallime thelbësore midis vendeve të BE-së për sa i përket PBB-së për frymë, e përdorur për të matur aktivitetin ekonomik. Pas Luksemburgut dhe Irlandës, Danimarka (36% mbi mesataren e BE-së), Holanda (30% më lart), Austria (24% më lart) dhe Belgjika (20% më lart) vijnë në krye të listës me një PBB për frymë më shumë se 20% mbi mesataren.
Në të kundërt, Bullgaria (38% nën mesataren e BE-së), Greqia (33% më poshtë) dhe Sllovakia (29% më poshtë) shënuan PBB-në më të ulët për frymë. /Monitor