Shqipëria humb tregjet e Kosovës, eksportet në sasi shënuan rënie me 40% në 8-mujor

Rritja e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare po “fsheh” atë që po ndodh më të vërtetë me sasitë e mallrave të tregtuara, të cilat duket se po pësojnë ulje të ndjeshme për shkak të krizës.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, për periudhën janar-gusht 2022 sasia e eksporteve shqiptare në Kosovë shënoi rënie me 40%, gjithashtu edhe importet nga Kosova ishin me rënie 12%.

Gjatë 8- mujorit u eksportuan në Kosovë 448 mijë tonë mallra, nga 748 mijë tonë ne të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose 40 për qind më pak.

Për të njëjtën periudhë u importuan nga Kosova 123 mijë tonë mallra në janar-gusht 2022, nga 141 mijë tonë në të njëjtën periudhe të vitit 2021 ose 12 % për qind më pak.

Të dhëna më të detajuara nga INSTAT tregojnë se, rënia është krijuar nga volumet më të ulëta të eksportit të materialeve, ndërtimit, hekurit dhe naftës. Eksportet në sasi të naftës në Kosovë në 8 mujorin 2021 ishin 58% më të ulëta se më janar-gusht 2021, ndërsa eksportet e materialeve të ndërtimit (kryesisht hekuri) shënuan rënie me 22%. Burimet nga kompanitë që eksportojnë në Kosovë bëjnë me dijë se tashmë tregjet atje po  furnizohen direkt me naftë dhe hekur nga importet që shkarkohen direkt nga Porti i Durrësit. Më parë një pjesë e furnizimeve kryheshin nga Kurum, por për shkak të kostove fabrika e prodhimit të hekurit është mbyllur pasi hekuri nga importi vjen më lirë.

Të dhënat tregojnë se suficiti tregtar në volum u përgjysmua gjatë këtij viti. Bilanci tregtar me Kosovën tregon se këtë vit Shqipëria eksportoi në Kosovës 325 mijë tonë mallra me shumë se sa importoi. Një vit më parë bilanci tregtar në volum ishte plus 607 mijë tonë.

Tregtia me sasi ka pësuar uljen edhe me partnerët e tjerë Rajonale, por rënia nuk ka qenë kaq dramatike sa me Kosovën.

Të dhënat në vlerë tregojnë situatë krejt tjetër. Edhe pse 40 për qind më e ulët në sasi, vlera e mallrave të eksportuara në Kosovë në 8 mujor ishte 6 % më e lartë. Në 8- mujor vlera e përgjithshme e eksporteve shqiptare në Kosovë arriti në 25 miliardë lekë nga 23.5 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Importet e Kosovës drejt Shqipërisë kanë kapur vlerën  89.8 milionë euro në periudhën janar-gusht, duke u rritur me gati 40 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, ndërkohë që sasia e tyre ishte 12 % më e ulët se një vit më parë. MONITOR


Shtuar 22.09.2022 07:31