Shqipëria e fundit në të ardhurat për frymë, reagon PD: Qentë lehin, karvani nuk ecën para

Partia Demokratike ka dalë në një deklaratë në lidhje me të dhënat e fundit të Eurostat, që e rendisin Shqipërinë të fundit në Europë në të ardhurat për frymë për vitin 2021.

Deklarata erdhi përmes anëtarit të Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, i cili tha se “për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për antarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një shekull”.

Deklarata e plotë:

Qeveria Rama vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje.

Eurostat, në një klasifikim të fundit, e rendit vendin tonë në bisht të Europës në të ardhurat për frymë për vitin 2021. Që do të thotë se mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 përqind e një qytetari europian. Çka do të thotë: më shumë se tri herë më pak. Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina.

Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria.  Serbia 12 pikë më lart. Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE.

Për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për antarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një Shekull. Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit.

Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare. Pra, siç shihet “qentë lehin, por karvani NUK bën përpara”.  Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë. /albeu.com/