Shqipëria do të blejë 1.1 milionë vaksina të tjera COVID-19

Shqipëria do të blejë 1.1 mln doza të tjera antiCovid për të imunizuar të gjithë popullatën. Për këtë do të përdoret fondi shtesë në buxhetin e Ministrisë se Shëndetësisë prej 1 miliard lekësh, i dedikuar për vaksinat.

Autoritetet shëndetësore kanë përcaktuar strategjinë kombëtare të vaksinimit, sipas së cilës synimi është që e gjithë popullsia në Shqipëri të jetë e vaksinuar deri pranverën e vitit të të ardhshëm. Sipas kësaj strategjie, për të arritur imunizimin e plote, parashikohet vaksinimi i 2.2 milionë personave, për të cilët nevojiten 4.4 milion doza vaksina.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se deri tani Shqipëria ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.9 milionë dozave vaksinave, prej tyre 1.2 milionë doza nga kontrata Covax si dhe 1.6 milionë doza nga kontrata me kompanitë prodhuese të dozave të Pfizer, Coronavac dhe Sputnik si dhe afro 237 mijë doza vaksina nga donacionet.

Nga 2,9 mln doza të siguruara, Shqipëria ka marrë mbi 1 mln doza të ndryshme vaksinash antiCovid.

Popullsia e Shqipërisë është afro 2.9 mln banorë, por deri tani komiteti i imunizimit ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për vaksinimin e grupmoshës 12-18 vjeç. Sipas rekomandimeve të ekspertëve të OBSH dhe Komitetit të Ekspertëve, vaksinimi sa më shpejt i popullsisë është përgjigja e duhur ndaj Covid-19./tv klan


Shtuar 26.06.2021 18:15