Kryeministri Edi Rama, ndau sot një video me përditësimet e drejtuesve politikë të Partisë Socialiste, të cilët raportuan mbi takimet e zhvilluara me banorët në kuadër të nismës “Prania Besnike”.
Belinda Balluku, bëri të ditur se gjatë këtyre sesioneve janë trajtuar 262 ankesa, janë organizuar 14 dëgjesa dhe janë pritur rreth 300 qytetarë.
Të lidhura
None found
Në zonën e Lezhës u zhvilluan tre takime ku u regjistruan 34 shqetësime, kryesisht lidhur me çështje të ASHK-së, rindërtimit dhe infrastrukturës. Ndërkaq, në Kukës, Tropojë dhe Has u mblodhën gjithsej 33 kërkesa.
Ulsi Manja, solli një reagim domethënës nga një prej pjesëmarrësve: “Besoj se kjo që do të shkruash ti, ky halli im do të shkojë te tavolina e Edi Ramës”.
Një tjetër problematikë e ngritur ishte ajo e legalizimeve. Enea Karakaçi njoftoi se janë shfaqur shqetësime edhe për banesat e ndërtuara përpara vitit 1991, dhe për këtë arsye u realizua një takim me drejtuesen e Kadastrës.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe digjitalizimi i procedurave. Blendi Klosi sugjeroi se Inteligjenca Artificiale mund të shërbejë për të identifikuar institucionet përgjegjëse dhe për të përgatitur njoftimet duke u mbështetur në referencat ligjore.
Bledi Çuçi, bëri me dije se deputetëve u është shpërndarë një formular i standardizuar për regjistrimin e ankesave, teksa Arbjan Mazniku theksoi rëndësinë e gjurmimit në kohë reale të reagimeve institucionale.
Në përmbyllje, Kryeministri Rama, nënvizoi se qytetarët nuk marrin pjesë në këto takime për t’u ekspozuar nëpër ekrane apo rrjete sociale. “Njerëzit nuk vijnë aty as për t’u shfaqur në televizor ose në Instagram… kjo do u japë mundësinë të gjithëve që të ndihen të qetë kur vijnë të qajnë një hall”, u shpreh ai.
