“Shpërthejnë” infektimet me Covid-19 te fëmijët, më të prekurit në çerdhe e kopshte

Shtohen rastet e infektimeve me Covid-19 edhe te fëmijët. Mjekët pediatër pohojnë se në këtë periudhë ka pasur “shpërthim” të infektimeve te fëmijët, për shkak të rritjes së numrit të të rriturve të infektuar me Covid-19, që po bëhen shkaktarët kryesorë të përhapjes së infeksionit edhe te të vegjëlit.

Mjekja pediatre pranë Qendrës Shëndetësore nr.2 në Tiranë, Sonila Brati, tha për “Monitor” se më të prekurit me infeksion janë fëmijët e çerdheve dhe kopshteve. Doktoreshë Brati shtoi se në shumë raste vihet re hezitimi i prindërve për të kryer tamponin te fëmijët, pasi shfaqin simptoma të ngjashme me të virozave të stinës.

“Rritja e rasteve me Covid-19 tek fëmijët tashmë po e shohim çdo ditë e më tepër. Megjithëse përveç Covid-19 tek fëmijët ka dhe viroza të shtuara. Në qendrën shëndetësore fëmijët po paraqiten me simptoma, si: temperaturë e lartë 39 deri 40 gradë °C, lodhje, dhimbje fyti dhe koke, kollë, si dhe djersë të shtuara. Simptoma që shkojnë 3-5 ditë. Fëmijët e çerdheve dhe kopshteve janë më të prekura. Mjekimi është më tepër simptomatik me antipiretik për temperaturë dhe vitamina. Nëse rastet komplikohen trajtimi bëhet me antibiotikë”, u shpreh ajo.

Më herët edhe mjekët e familjes dhe ato të qendrave laboratorike të kryeqytetit thanë se prej 2-3 javësh janë shtuar rastet me Covid-19 te popullata, pasi është neglizhuar zbatimi i masave mbrojtëse, siç është distancimi social dhe vendosja e maskës në ambientet e mbyllura. Rritja e numrit të rasteve ka ardhur si rezultat i moszbatimit të masave që nga grumbullimi i individëve në plazhe, restorante dhe bare, si dhe mospërdorimi i maskës në ambientet e mbyllura.

Në mbledhjen e fundit ekspertët e Komitetit Teknik thanë se në qarkullim është varianti BA5, për të cilin nuk ka të dhëna të qarta lidhur me format që ky variant shkakton, apo vdekjet që shkakton. Të dhëna të pakta ka edhe për transmetueshmërinë e këtij varianti që ka transmetueshmëri të ngjashme me variantin BA2 të omicron. Komiteti Teknik ka mbajtur të pandryshuar masat për popullatën, ndërsa kërkoi vijimin me dozën e tretë të vaksinës.

Në vendet e Europës po qarkullojnë shfaqja e dy nënvariante të Omicron BA 4 dhe BA 5 dhe ngarkesa e tyre virale mbetet vetëm në pjesën e fytit. Rrezikshmëria e tyre është më e ulët krahasuar me variantin Delta.

Ministrisë së Shëndetësisë vazhdon fushatën për vaksinimin e popullatës. Në total për 2022 parshikohet të shpenzohen 20 mln euro fonde për blerjen e vaksinave. Sipas raportimit të monitorimit të ministrisë për periudhën janar-prill është shpenzuar 23% fondit. Sakaq në 4 muajt e parë të vitit vaksimit janë ulur 85% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në Shqipëri, sipas të dhënave nga World Data, janë vaksinuar 47% e popullatës, ku 43% e tyre kanë kryer vaksinim të plotë. Në rang global rezulton e vaksinuar 61% e popullatës./D.Azo

MONITOR