Gardisti Martin Nikolli, i cili është dhe shoferi i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, është arrestuar mbrëmjen e sotme nga policia.
Nikolli bashkë me pjestarë të tjerë të familjes së tij rrahën barbarisht fqinjët e tyre, pas një sherri banal.
Pas hetimeve të kryera, Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore, ka arrestuar gardistin Nikolli i cili akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Njoftimi:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar gardistin Martin Nikolli, i cili u përfshi në dhunim e disa anëtarëve të një familjeje në Hamallaj.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor Martin Nikolli, pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.
Veprimet proceduriale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit Martin Nikolli 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë.
/AlbEu.com/