Shoqërohen në komisariat anëtarë të fisit Reçi për vrasjen e Martin Bardhit, mes tyre edhe Saimir Reçi

Sot janë shoqëruar në komisariatin e Lezhës persona nga fisi Reçi, mes tyre është shoqëruar edhe Saimir Reçi i cili pati dhe konfliktin në mars të këtij viti po ashtu dhe i ati i Saimir Reçit.

Ata dyshohet se kanë lidhje me ekzekutimin e një dite më parë, ku mbeti i vrarë Martin Bardhi.

Pas marrjes së dëshmive të shoqëruarit janë lënë sërish të lire, ndërkohë po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë të disa biznese në qytet si dhe përgjatë akseve rrugore nga ku mendohet se ka lëvizur automjeti i autoreve të këtij krimi. Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se makina tip Foristradë e përdorur në ngjarje, rezulton të ketë patur targa të falsifikuara.

 Si ndodhi ngjarja?

Rreth orës 11:00 të 26 shtatorit, ndërsa Martin Bardhi ka qenë duke pirë kafen me personat e lartpërmendur, pranë tyre ka mbërritur një makinë tip “Jeep” i zi.

Nga mjeti është qëlluar me armë duke lënë të vdekur Bardhin dhe të plagosur tre personat e tjerë, të cilët nuk dihet nëse kanë qenë shënjestër e autorëve.

Pas të shtënave, autorët, të cilët ishin të maskuar, janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre.

Pas ngjarjes, policia në fshatin Gëziq, Mirditë, ka konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.

Motivi i krimit

Shkak i vrasjes dyshohet të jetë hakmarrja.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, viktima së bashku ,e djalin e tij kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit, pronari i një televizioni lokal në Lezhë, i vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.

Si nisi sherri mes babë e bir dhe Saimir Reçit

Sipas policisë, Enrik Bardhi (djali i viktimës së sotme) ka pasur një konflikt me Saimir Rexhin për parakalim në rrugë.

Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëritjetrin në mes të qytetit.

Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Saimir Reçi.

Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMW, çka e dëshmuan dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun Reçi pa marrë lëndime./albeu.com


Shtuar 27.09.2023 09:05