Shoku i fëmijërisë “i bëri gropën” Arjanit që u ekzekutua në Belgjikë. “Fat Katnari” ndërmjetës për takimin Dumani-Spahiu

Elton Roçi, kushëriri i Eljo Bitrit të arrestuar nga SPAK për llogari të operacionit “Plumbi i Artë”, rezulton të jetë njeriu që ka shitur dhe ka dhënë informacion për vrasjen e Arjan Spahiut në Molenbeek të Belgjikës.

Emri i Elton Roçit ose “Fat Katnari” rezulton si i përfshirë në ekzekutimin e Spahisë në vitin 2020. Ai është zbuluar së fundmi në dosjen “Dumani”, e cila tashmë ka shkuar në gjyq me disa të pandehur.

Siç del në dokumentet hetimore, Roçi ka qenë shok fëmijërie me Arjan Spahiun dhe për shkak të njohjes së vjetër dhe kryerjes së punëve të pista, ata dinin shumë për njëri-tjetrin.

Madje Elton Roçi është dhe njeriu që ka ndërmjetësuar takimin e parë të zhvilluar mes Arjan Spahiut dhe Nuredin Dumanit, shkruan Ora News.

Takim nga i cili është pasuar më pas në një marrëveshje trepalëshe midis Dumanit, Spahisë dhe Alibej, për të kryer disa vrasje në Durrës, Peqin dhe Elbasan.

Roçi momentalisht ndodhet në burg në Belgjikë. Ndërsa në kërkim për vrasjen e Spahiut është shpallur Mikel Qosja alias “Keli i Kicit” që tashmë ndodhet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“…nëpërmjet Arian Spahiut, në vitin 2020, është njohur me Nuredin Dumanin, të cilin, Erion Alibej bashkë me Arian Spahiun e kanë takuar dhe e kanë strehuar në Elbasan gjatë vitit 2020.”

Alibej thotë se: “…Nuredin Dumanin, Arian Spahiun e ka kontaktuar nëpërmjet Elio Bitrit, ndërsa njohja ndërmjet Elio Btirit me Arian Spahiun, është ndërmjetësuar nga një person që e njihte me emrin Fati (Fat Katnari), shok fëmijërie i Arian Spahiut, i cili është edhe djali i tezes së Elio Bitrit….”.

Nga ana e prokurorëve të SPAK u identifikua që “Fati” (Fat Katnari) është Elton Roçi, i arrestuar nga autoritet Belge si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Arian Spahiut në Belgjikë në vitin 2020.

Tashmë pjesë të dëshmisë së të penduarit Erjon Alibej dhe Nuredin Dumanit, i janë vënë në dispozicion dhe prokurorëve belgë që po ndjekin rastin e hetimit të vrasjes së Arjan Spahiut në Molenbeek.a