Shoferi i përplasi për vdekje vajzën dhe u dënua me 4 vite burg, nëna me lot në sy: E çova për qejf, jo të më vinte në arkivol të ftohtë

“Gjykata ka bërë krim për herë të dytë, vendim qesharak. Ne i kemi falë për gjakmarrje, me dëshirë kemi firmos që nuk do marrim gjakmarrje”.

Kështu ka thënë për emisionin “Shqipëria Live”, Remzije Garunja, nëna e 19-vjeçares Lusinda, e cila mbeti e vdekur kur makina me të cilën po udhëtonte u përplas nga një tjetër makinë.

Shoferi i makinës tip “Benz”, Behar Pema goditi nga pas makinën tip “Volswagen”, ku po udhëtonin katër vajza të reja. Nga aksidenti i tmerrshëm i 13 shkurtit të vitit 2020, humbën jetën Lusinda Garuja dhe Zheneta Qellia, 19 dhe 28 vjeçe.

Ndërkohë së fundmi Gjykata e Elbasanit dha katër vite burg për Behar Pemën, i cili aksidenti për vdekje dy vajza të reja dhe dy të tjera i la të plagosura.

Nëna e 19-vjeçares e cila kishte dalë me shoqet për të festuar, tha për mikrofonin e “Shqipëria Live” se përveçse gjykata i vrau për herë të dytë, është përballur edhe me paragjykime.

“Edhe babai i Zhenetës tha në gjykatë se na i vratë vajzat për herë të dytë. Çdo vajzë ka qejf me dalë, më jetu jetën. Kam punuar 24 orë me u bërë qejfin vajzave, mos me i çu viktima. Por njerëzit gjykojnë, çdo vajzë, 19 vjeçe ka qejf me jetu. Nuk ka një muaj që kam filluar me dalë. E çova për qejf, jo me ardhur në arkivol të ftohtë”, përfundoi me lot në sy.


Shtuar 12.07.2021 14:46