Shkrihen 9 Gjykata dhe Prokurori, nis sot zbatimi i fazës së dytë të hartës së re gjyqësore

Nga dita e sotme (1 maj), 9 Gjykata dhe Prokurori të shkallës së parë në rrethe do të shkrihen në zbatim të hartës së re gjyqësore.

Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës, Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit.

Bashkë me Gjykatat, do të mbyllen edhe Prokuroritë përkatëse, ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët, sikurse edhe dosjet do të transferohen në Gjykatat e tjera!

Institucionet e drejtësisë nga Tropoja do të transferohen në Kukës, ndërsa ato të Matit në Dibër dhe të Pukës në Shkodër.

Gjykata dhe Prokuroria e Kurbinit do të zhvendoset në Lezhë, e Krujës në Tiranë dhe Kavajës në Durrës, e Pogradecit në Korcë.

Dosjet gjyqësore të Lushnjes do të shkojnë në Fier dhe ato të përmetit në Gjirokastër.

Godinat e gjykatave dhe prokurorive që mbyllen do të qëndrojnë të hapura për depozitimin e padive dhe për çështje të tjera administrative për qytetarët.

Në vend mbeten 13 Gjykata e Prokurori të shkallës së parë nga 23 që funksiononin.

Në fazën e parë të hartës së re gjyqësore të zbatuar në shkurt, u mbullën 6 Gjykatat e Apelit, të cilat janë grupuar në  Gjykatën e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm.

Faza e tretë që do të zbatohet në korrik, parashikon shkrirjen e Gjykatave Administrative në vetëm dy të tilla, me seli në Tiranë dhe Lushnje.

Harta e re gjyqësore parashikon 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative./Albeu.com/


Shtuar 1.05.2023 10:29