Shkon në 255 numri i viktimave nga protestat në Kazakistan, mes tyre 19 anëtarë të forcave të sigurisë

Shifra përfshinte civilë e “banditë” të armatosur, të vrarë nga forcat e sigurisë, tha në një konferencë për shtyp Serik Shalabayev, kreu i ndjekjes penale në zyrën e prokurorit. Ai nuk bëri një zbërthim të saktë të shifrave dhe tha se ato mund të përditësohen më vonë.

Protestat e dhunshme në Kazakistan filluan këtë muaj pas një rritjeje të çmimit të karburantit. Shifrat e ofruara nga zyra e prokurorit i bëjnë ato, zhvillimet më të përgjakshme në historinë post-sovjetike të vendit.

Zoti Shalabayev tha se 50,000 persona iu bashkuan trazirave në të gjithë ish-republikën sovjetike duke kulmuar më 5 janar, kur turmat sulmuan dhe dogjën ndërtesat qeveritare, makina, banka e dyqane në disa qytete të mëdha.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev iu drejtua për ndihmë një blloku ushtarak, të udhëhequr nga Rusia. Ai largoi nga detyra kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, paraardhësin e tij, Nursultan Nazarbayev, duke e marrë vetë drejtimin e këtij organizmi.

Zoti Tokayev urdhëroi policinë të shtunën të shmangte sjelljet abuzive pas ankesave për rrahje e tortura në mesin e të arrestuarve lidhur me trazirat. Ai u tha prokurorëve që të tregoheshin të butë ndaj atyre që nuk kishin kryer krime të rënda./VOA

Shtuar 16.01.2022 10:32