Shkatërrohet grupi i trafikut të drogës në Selanik, mes të arrestuarve edhe një shqiptar (VIDEO)

Policia greke në Selanik ka zbuluar një laborator të prodhimit të kanabisit sintetik, ndërsa në pranga janë vënë 5 persona, mes tyre edhe një shqiptar.

Lënda narkotike dërgohej me postë dhe nëpërmjet kompanive të dërgesave në tregjet në Europë dhe Amerikë. Grupi merrte porositë nga blerësit nëpërmjet një platforme ku përdoreshin mesazhet e koduara, ndërsa shitblerja e drogës kryhej përmes kriptovalutave.

Si anëtarë të këtij grupi u arrestuan pesë burra, katër grekë dhe një shqiptar (përkatësisht 29, 35, 58, 39 dhe 28 vjeç). Dy të parët, sipas policisë greke, dyshohet se janë drejtues të grupit.

Në laboratorin e improvizuar si dhe në një magazinë në zonën e Triandrisë u sekuestruan 43 kilogramë e 254 gramë kanabis sintetik në formë të ngurtë, mbi 6 litra kanabis sintetik në formë të lëngshme, rreth 2 kilogramë kanabis të trajtuar në formë çokollate, 92,2 gram kanabis të papërpunuar dhe 17 tableta narkotike.

Gjithashtu, janë sekuestruar 3 pistoleta, gëzhoja, tre kuleta elektronike kriptovalutash, 11 celularë, sende dhe pajisje të laboratorit të prodhimit të drogës sintetike dhe një shumë prej 126.220 euro.


Shtuar 17.09.2023 21:58