Shkarkimi i presidentit Meta, PS mbledh 36 firma nga deputetët

Ashtu sikundër paralajmëroi javën që lamë pas, Partia Socialiste ka nsiur këtë të hënë nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Mësohet se deri tani, janë mbledhur 36 firma nga deputetët. Ndërkohë që një nismë të propozohet në Kuvend, mjaftojnë 35 firma.

Kujtojmë se sot paradite është parashikuar edhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të Parlamentit.

Pritet qe kjo kërkesë të kalojë nesër ne seance plenare, por kjo do të vendoset sot në konferencën e kryetareve, që do te zhvillojë mbledhjen online.

Shumica socialiste e argumenton kërkesën “bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të Nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore”.

Neni 90 i Kushtetutës thekson se:

“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen  e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.”

Kjo është hera e dyte që shumica socialiste kërkon të shkarkojë presidentin Ilir Meta.

Për shkarkimin e Metës duhet të ngrihet një komision parlamentar përpara datës 9 maj. Ligji thotë që një komision parlamentar mund të krijohet deri katër muaj përpara përfundimit të mandatit të një legjislature.

Në rastin aktual legjislatura mbyllet më 9 shtator dhe për rrjedhojë afati i fundit i krijimit të komisionit parlamentar është data 9 maj. Gazetarja Shehu kujtoi se pas punës së komisionit parlamentar opinioni i tij do të diskutohet në Komisionin e Ligjeve, aty ku mund të kërkohet ballafaqimi me Presidentin.

Nga PS është deklaruar se shkarkimi i Metës do të bëhet nga legjislatura aktuale e Kuvendit, mirëpo vulën përfundimtare të shkarkimit të mundshëm të tij do ta vërë Gjykata Kushtetuese.

Shtuar 3.05.2021 10:05